Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shefi i ushtrisë britanike: Putini e ka humbur luftën

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Britanike, admirali Sir Tony Radakin, tha në një seminar të qendrave kërkimore në Londër, të enjten, se qëllimi i Moskës për të "pushtuar të gjithë Ukrainën" ka dështuar.

Por shtoi se java e ardhshme "do të vazhdojë të jetë shumë e vështirë" për Ukrainën.

"Megjithatë në shumë mënyra Putini tashmë ka humbur", tha ai, përcjell “Daily Mail”. “Larg nga të qenit një manipulues largpamës i asaj që do të donim të besojmë, Putini e ka dëmtuar veten me një sërë vlerësimesh shumë të gabuara”.

Radakin tha gjithashtu se ka ankth në të gjitha nivelet e ushtrisë ruse në lidhje me fushatën në Ukrainë - nga trupat që nuk iu tha se do të nisnin pushtimin e Ukrainën e deri te komandantët më të lartë.

Zyrtarët perëndimorë thonë se "rrethi i brendshëm" i bashkëpunëtorëve të Putinit nuk po i jep pasqyrë të vërtetë të luftës dhe se izolimi i tij, mund të ketë kontribuar në një vlerësim të gabuar të forcës ukrainase.

Edhe “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit Botë “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit

Në fakt, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një adresim të enjten mbrëma, tha se Rusia në fillim kishte menduar të futej në Kiev për 3 deri në 5 ditë.

“Por ja ku jemi në fund të ditës së 36-të dhe po vazhdojnë të luftojmë”, tha ai në një video të postuar në rrjetin social Telegram.

Image

21:28 - Afër 150 fëmijë janë vrarë në Ukrainë

Të paktën 148 fëmijë janë vrarë nga sulmet ajrore ruse, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ka njoftuar të enjten Kievi zyrtar, raportoi Sky News.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka bërë të ditur se 1.370 raketa janë lëshuar dhe 15 aeroporte ukrainase janë shkatërruar që nga 24 shkurti, kur ka nisur pushtimi.

Sipas kësaj ministrie, më shumë se 10 milionë ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre, 4 milionë prej të cilëve kanë kaluar në shtetet fqinje si refugjatë.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të fundit të Kombeve të Bashkuara, 1.100 civilë janë vrarë në konfliktin e Ukrainës, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.

19:34 - Ukraina kthen nën kontroll Chernobylin

Centrali bërthamor i Chernobylit është rikthyer në duart e ukrainasve, ka konfirmuar të enjten Agjencia bërthamore e vendit, raportoi Sky News.

Një gazetar i Wall Street Journal ka shpërndarë atë që duket të jetë një marrëveshje e arritur, përmes së cilës Rusia nuk është më në krye të centralit.

Chernobyli është marrë nën kontroll nga forcat ruse, që në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.

Artileria e rëndë ushtarake e Rusisë e vendosur në zonën përreth termocentralit ka shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për shkak të mundësisë së lirimit të materialit radioaktiv.

18:24 - Britania do të dërgojë armatim shtesë në Ukrainë

Britania e Madhe do të dërgojë më shumë armatim në Ukrainë, ka bërë të ditur të enjten sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, raportoi Sky News.

Lajmin të plotë mund ta lexoni KËTU 

Image
Ushtria ukrainase/Foto: AP

17:18 - Zelensky u është adresuar 17 parlamenteve dhe 3 institucioneve multilaterale

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’i adresohet të enjten parlamentit të 17-të me radhë të huaj, në një përpjekje të tij për të kërkuar mbështetje për Ukrainën, pas nisjes së pushtimit të saj nga Rusia më 24 shkurt.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

Image
Zelensky duke folur para Kongresistëve amerikanë/Foto: AP

16:07 - Rusia po i largon trupat nga Chernobyli

Trupat ruse janë duke u larguar nga zona e termocentralit bërthamor, Chernobyl, ka bërë të ditur të enjten Agjencia Shtetërore Nukleare e Ukrainës, raporton Sky News.

Agjencia shton se ndërsa disa trupa mbeten ende në vend, shumica janë nisur drejt kufirit me Bjellorusinë.

Analistët perëndimorë parashikojnë se ndërsa Rusia thotë se tani do të përqendrojë trupat në rajonin e Donbasit, forcat e saj në fakt mund të rigrupohen për më shumë sulme në të gjithë Ukrainën.

Chernobyli është marrë nën kontroll nga trupat ruse që në ditët e para të pushtimit të Ukrainës.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.


15:34 - Putin nënshkruan dekretin: Nga nesër, shtetet jomiqësore duhet ta paguajnë gazin në rubla

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret ku nga 1 prilli “shtetet të shpallura jomiqësore” do ta paguajnë gazin rus në rubla, raporton Reuters.


15:13 - Erdogan: Turqia e gatshme të jetë garantuese për Ukrainën

Turqia është e gatshme, në parim, të veprojë si vend garantues për Ukrainën, ka thënë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të enjten për transmetuesin shtetëror NTV.

Edhe Rusia ka përjetuar muajin më të rëndë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, thotë ministri britanik Botë Rusia ka përjetuar muajin më të rëndë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, thotë ministri britanik

14:02 - Paralajmëron NATO: Rusia po bëhet gati për sulme të reja

Forcat ruse në Ukrainë nuk po tërhiqen, por po rigrupohen, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar njoftimet e Moskës se po ulin operacionet rreth Kievit.


13:18 - Telefonata me Draghin, Putini beson se ende nuk janë pjekur kushtet për armëpushim

Presidenti rus Vladimir Putin beson se kushtet për një armëpushim në Ukrainë nuk janë pjekur ende, tha kryeministri italian Mario Draghi në një konferencë për shtyp të enjten, transmeton Sky News. 


12:28 - Kryqi i Kuq: Shumë e rëndësishme që të ndodhë evakuimi nga Mariupoli

Drejtori i përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Robert Mardini, i ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë të pajtohen për evakuim të sigurtë të civilëve nga Mariupoli dhe po ashtu nga vijat tjera të frontit, raporton agjencia Reuters të enjten.

Mardini ka thënë se furnizimet në Mariupol po mungojnë dhe ka shtuar se 170 mijë qytetarë janë të ngujuar pa energji elektrike.

Nga Kryqi Kuq është thënë se është shumë e rëndësishme që të ndodhë evakuimi nga Mariupoli. Ukraina ka nisur 45 autobusë në drejtim të Mariupolit.


11:23 - Ukraina dërgon 45 autobusë në Mariupol për të evakuuar civilët

Qeveria e Ukrainës i ka dërguar 45 autobusë për të evakuuar civilët nga qyteti i rrethuar Mariupol, ka njoftuar zëvendëkryeminisrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, për “The Guardian”.

17 autobusë raportohet se janë nisur për në Mariupol nga Zaporizhzhia që është afro 220 kilometra larg.

“Sot, ne kemi pranuar një mesazh nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar se Federata Ruse ka konfirmuar gatishmërinë për të hapur qasjen për konvojet humanitare në qytetin Mariupol me tranzit nëpërmjet qytetit Berdiansk”, ka thënë Vereshchuk, në një video-mesazh të postuar në Telegram. “Jemi duke dërguar 45 autobusë për te korridoret në Mariupol”.


11:02 - Pamje nga shkatërrimi i qytetit ukrainas, Mariupol

Janë shfaqur pamjet që tregojnë shkallën e shkatërrimit në qytetin e rrethuar të Ukrainës, Mariupol, i cili është përballur me peshën kryesore të agresionit rus që nga 24 shkurti.


09:32 - Në Chernihiv po vazhdojnë bombardimet përkundër premtimeve të Rusisë se do ta ulë ofensivën

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe ka thënë se ndonëse Moska ka premtuar se do të ulë aktivitetet ushtarake rreth qytetit ukrainas Chernihiv, ka vazhduar bombardimet në këtë qytet, raporton BBC.


08:44 - Këshilltarët e Putinit shumë të frikësuar t’ia thonë të vërtetën për Ukrainën

Rusia e ka keqvlerësuar masivisht situatën në Ukrainë dhe disa nga këshilltarët e presidentit rus Vladimir Putin nuk po i thonë të vërtetën nga frika, sipas Shtëpisë së Bardhë dhe inteligjencës britanike, shkruan BBC të enjten.


08:18 - Rusia njofton për armëpushim në Mariupol

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar Mariupol, duke filluar nga mëngjesi i të enjtes, për të lejuar civilët që të evakuohen.

“Që të lejojmë këtë operacion humanitar që të ketë sukses, ne propozojmë të marrë pjesë direkt Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe po ashtu Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë Ministria e Rusisë.


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se duhet përgatitur për një ofensivë të re ruse në lindje të Ukrainës, raporton BBC.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Zelensky ka thënë se po mblidhen trupat ruse për sulme të reja në rajonin e Donbasit.

“Ka një mbledhje të trupave ruse për sulme të reja në Donbas. Dhe po përgatitemi për këtë”, ka thënë Zelensky.

Ai ka shprehur skepticizmin në lidhje me pretendimet e Rusisë gjatë negociatave se do t’i ulë operacionet ushtarake rreth kryeqytetit Kievit, dhe qytetit tjetër Chernihiv.

“Ne nuk i besojmë askujt, nuk i besojmë fjalëve bukur të ndërtuara”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se nuk ka arsye të besojë se Rusia do të ulë ofensivën rreth atyre qyteteve, duke marrë parasysh se Kievi e Chernihivi po vazhdojnë të sulmohen.

Edhe Ukraina po i çliron qytetet në kufi me Rusinë Botë Ukraina po i çliron qytetet në kufi me Rusinë

Zelensky po ashtu ka rikonfirmuar përkushtimin e Ukrainës për ta mbrojtur territorin.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë. Dhe do të luftojmë për çdo metër të tokës tonë, për çdo person”, tha ai.