Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky akuzon Rusinë për “terrorizëm energjetik”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë se ka lënë 4.5 milionë ukrainas pa energji elektrike dhe deklaroi se ishte “terrorizëm energjetik”, shkruan BBC.

Ai e deklaroi këtë pasi ushtria ruse kreu sulme të ashpra në objektet energjetike të Ukrainës në ditët e fundit. Ndër të tjera, dronët u përdorën edhe për sulme. Sulmet u kryen në një kohë kur forcat ruse po tërhiqeshin nga Khersoni, një qytet që ndodhet në jug të vendit.

Sipas Zelenskyt, vetëm gjatë muajit të kaluar u shkatërruan një e treta e objekteve të prodhimit të energjisë elektrike. Për shkak të kësaj, qeveria u detyrua t'i bëjë thirrje popullatës për të kursyer energjinë elektrike.

“Pothuajse 4.5 milionë konsumatorë të energjisë elektrike janë shkëputur përkohësisht nga sistemi”, theksoi ai.

Ai vlerësoi se sulmet ndaj objekteve janë reflektim i dobësisë për shkak të dështimeve ruse në fushën e betejës.

"Vetë fakti që Rusia po i drejtohet terrorizmit energjetik tregon dobësinë e armikut tonë. Ata nuk mund ta mposhtin Ukrainën, ndaj po përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë", shtoi ai.

Artikuj të ngjashëm