Pavel Talankin ishte koordinator i aktiviteteve shkollore dhe videograf. Kur Rusia ndryshoi rrënjësisht kurrikulën për t’i shndërruar nxënësit në ushtarë patriotë, ai vazhdoi të xhironte me kamerën e tij. Pamjet u shndërruan në një film dokumentar që tani është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin “Oscar”.
Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Pavel Talankin ka ecur në korridoret e Shkollës Nr. 1 në Karabash, një qytet industrial me rreth 10 mijë banorë në malet Urale të Rusisë, fillimisht si nxënës dhe më pas si koordinator i aktiviteteve dhe veprimtarive jashtëshkollore.
Ai organizonte festa, ceremoni diplomimi, krijoi një klub argëtimi dhe i regjistronte të gjitha me video për arkivin e shkollës. Zyra e tij ishte një vend ku nxënësit gjenin strehë: luanin kitarë, Uno dhe xhironin videoklipe muzikore.
“E doja këtë vend”, tha Talankin, 34 vjeç, në një intervistë. “E doja gjithçka që bënim përpara luftës”.
Edhe nxënësit e tij ndiheshin njësoj.
“Zakonisht të gjithë prisnim pushimin që të vraponim në zyrën e Pavel Iliçit dhe të diskutonim për gjithçka”, tha një ish-nxënës që kërkoi të mbetej anonim nga frika e pasojave. “Në atë zyrë nuk mësonim lëndë. Mësonim për jetën”.
Gjithçka ndryshoi në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë. Më pak se një muaj më vonë, Ministria e Arsimit prezantoi një kurrikulë të re, e krijuar për të edukuar brezin e ri në mbështetje të ambicieve ushtarake të presidentit rus Vladimir Putin.
Nxënësit filluan të merrnin pjesë në gara hedhjeje granatash. U detyruan të ndiqnin ligjërata javore patriotike - në njërën prej tyre, një mësues historie tha se rusët që nuk pajtoheshin me qeverinë ishin “parazitë” dhe se duhej të emigronin. Në një mbledhje shkollore, mercenarë nga grupi paramilitar Wagner u mësuan nxënësve si të dallonin llojet e minave dhe si të mbijetonin.
Talankin u urdhërua t’i filmonte të gjitha këto dhe t’i ngarkonte pamjet në një bazë të dhënash shtetërore, për të dëshmuar se Shkolla Nr. 1 po zbatonte direktivat e reja të kurrikulës.
Në një kthesë të pazakontë të fatit, këto pamje u bënë materiali bazë për dokumentarin e vlerësuar “Mr. Nobody Against Putin”, i cili tani është kandidat për çmimin “Oscar”. Qeveria ruse e ka pranuar zyrtarisht iniciativën e saj për edukimin patriotik, por e ka injoruar publikisht filmin.
Talankin ishte pas kamerës edhe kur një mësues, gjatë një mësimi të detyruar, u ngatërrua duke shqiptuar fjalët “denazifikim dhe demilitarizim”. Presidenti Putin ka pretenduar në mënyrë të rreme se Ukraina drejtohet nga nazistë dhe se qëllimi i tij kryesor është t’i largojë ata.
“Ndërsa filmoja, e kuptoja se ajo që po kapte kamera nuk ishte thjesht një mësim, por histori”, tha Talankin.
Ai filloi të ndihej i parehatshëm me rolin e tij, duke kuptuar se, përmes kamerës, po shërbente si një lloj zbatuesi, “një mbikëqyrës”.
Nëna e tij, Antonina Talankina, 69 vjeçe, e cila punon si bibliotekare në të njëjtën shkollë, tha në një intervistë: “Ai filmonte gjithçka, gjatë gjithë kohës”.
Ajo voton për Putinin, tha i biri, por gjithmonë e kishte rritur atë që të vinte në dyshim autoritetin. Një herë në vit, ajo e çonte në varrezat lokale dhe i tregonte histori për gjyshërit e tij nga ana e babait, të cilët përfunduan në Karabash pasi u persekutuan gjatë epokës së Stalinit, kur miliona njerëz u dërguan në kampe pune të detyruar.
Ai kujton se si mblidhte jastëkë dhe batanije për nënën e tij kur ajo flinte në shkollë, gjatë grevës së urisë së mësuesve, sepse nuk kishin marrë pagat.

“Robotë të Kremlinit”
Më pas ai vazhdoi studimet për film në Universitetin e Chelyabinskut, kryeqendra rajonale, rreth 110 kilometra larg qytetit të tij.
Lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka: qytetin e tij, shkollën dhe punën e tij. Pasi pa një thirrje në Instagram ku u kërkohej rusëve të ndanin histori se si jeta e tyre profesionale kishte ndryshuar, ai dërgoi një email emocional dhe plot zemërim. Ishte aq i zhgënjyer, sa i tha shkollës se do ta jepte dorëheqjen.
Por më pas u kontaktua nga David Borenstein, një regjisor amerikan dokumentarësh me seli në Danimarkë. Një i njohur i kishte dërguar atij emailin e Talankinit. Me shumë kujdes, Talankin pranoi t’i dërgonte disa pamje filmike, duke shpresuar se nuk po binte në ndonjë kurth të shërbimeve ruse të sigurisë, të cilat ishin urdhëruar të zbulonin kritikët e luftës në Ukrainë.
I gjithë projekti mbështetej mbi një “besim të jashtëzakonshëm mes njerëzish që nuk ishin takuar kurrë”, tha Talankin. Ai vendosi të mos largohej ende nga puna në shkollë.
Ai vazhdoi të filmonte, ndërkohë që zbatonte urdhrat e qeverisë. Tha se ishte detyruar t’ia jepte fjalëkalimin e llogarive të rrjeteve sociale të shkollës një administratori lokal. Më parë, ai kishte postuar shpesh për aktivitetet shoqërore dhe frymën e shkollës, por administratori filloi të publikonte reklama për rekrutimin në Ushtrinë Ruse. Nxënësit dhe mësuesit u detyruan, sipas tij, të postonin propagandë qeveritare në llogaritë e tyre personale, duke i kthyer në atë që ai i quajti “robotë të Kremlinit”.
Kur mësuesit detyrohen të përsërisin mesazhet e Kremlinit, “kjo funksionon”, tha Talankin. Fëmijët kanë të njëjtin mësues nga klasa e parë deri në të katërtën, shpjegoi ai, çka u jep mësuesve një fuqi të jashtëzakonshme për të formësuar botëkuptimin e një fëmije.
Në qershor të vitit 2024, pak pas ditës së fundit të vitit shkollor, Talankin organizoi edhe një festë të fundit diplomimi. Më pas, për herë të parë në jetën e tij, u largua nga Rusia. Ai dhuroi shumicën e sendeve personale.
Tha se po shkonte për një pushim njëjavor në Turqi. Në valixhe kishte disqe të forta plot me materiale filmike dhe asnjë kostum banje. Nuk e dinte se ku dhe si do ta ndërtonte jetën e re. Atje u takua për herë të parë ballë për ballë me Borensteinin dhe pa versionet e para të filmit. U trondit kur pa se sa i pranishëm ishte vetë në dokumentar.
Borenstein tha se deri në momentin e takimit, nuk e kishte kuptuar plotësisht se çfarë e kishte shtyrë Talankinin të ndërmerrte një projekt kaq të rrezikshëm. Në Rusi, kritikët e luftës arrestohen rregullisht.
“Kisha menduar se ndoshta kjo ishte mënyra e tij për t’u larguar nga Rusia”, tha Borenstein në një intervistë telefonike. “Por kur u takuam, kuptova se ai ishte thellësisht i lënduar nga fakti që kishte lënë Rusinë”.
Talankin tha se gjatë gjithë procesit të xhirimeve kishte menduar se mund t’i duhej të zhvendosej në një qytet tjetër brenda Rusisë, por jo se do të detyrohej të emigronte. Ai qëndroi për një kohë në Stamboll dhe më pas shkoi në Pragë.
Ai u ndje krenar që kishte ndërtuar një arkiv të përpjekjeve të Kremlinit për të krijuar një shoqëri gjithnjë e më të militarizuar.
“Herët a vonë, njerëzit do ta pyesin veten: ‘Çfarë po ndodh me rusët? Pse janë sërish kaq të zemëruar dhe agresivë?’ Dhe ja ku është përgjigjja: Sepse ata shkojnë në shkollë dhe u mësohet se vrasja është normale”, tha ai. “Të vdesësh për atdheun paraqitet si diçka shumë e bukur”.

Largimi nga mësimdhënia
Nëna e Talankinit mbeti në Karabash dhe u përball me pasojat. Problemet nisën edhe para premierës së filmit në janar të vitit 2025 në Festivalin e Filmit Sundance, ku dokumentari fitoi çmimin special të jurisë. Fillimisht, Talankin nisi të merrte mesazhe ku e quanin “tradhtar”.
Brenda një jave pas premierës së filmit, tha ai, administrata e qytetit kishte parë tashmë një kopje pirate të dokumentarit. Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) vizitoi mësuesit e shkollës dhe i nxiti ata të ndërprisnin çdo lidhje me Talankinin. Shumë prej tyre e bënë këtë.
Megjithatë, ai mori edhe mesazhe nga prindër që u tronditën kur kuptuan përmasat e propagandës me të cilën po ushqeheshin fëmijët e tyre. Ai tha se kishte marrë mesazhe edhe nga mësues të rajonit, të cilët shprehnin se kishin pritur prej kohësh që dikush më në fund të fliste hapur.
Ai u shpreh me keqardhje se një nga maturantët e fundit të shkollës, pasi e kishte parë filmin, i kishte thënë se nuk shihte asnjë propagandë në të.
“Ky ishte komenti më i keq, sepse do të thotë se sytë e tij janë tashmë të mësuar me këtë mjedis”, tha Talankin.
Talankina tha se ishte krenare për të birin dhe se kishte dëgjuar vetëm reagime pozitive për filmin. Megjithatë, shtoi ajo, nuk flet me askënd për të dhe as të tjerët nuk e pyesin për të.
“Është tabu”, tha ajo.
Talankina, e cila nuk ka qenë kurrë jashtë vendit, tha se nuk e di se kur mund ta shohë sërish të birin.
Ajo përmendi se një nga miqtë dhe shokët e klasës së tij që nga kopshti, Artyomin, i cili kishte vdekur në luftë.
“Ai shkoi në kopsht me të, studioi në të njëjtën klasë, u diplomuan bashkë”, tha ajo. “Djali im është jashtë vendit, por gjallë. Por, nëna e Artyomit nuk mund ta ringjallë djalin e saj nga të vdekurit”.
Në kohën e premierës së filmit, Talankin ishte i bllokuar në Pragë, duke pritur të merrte azil politik. Pa dokumente, ai humbi një shfaqje pas tjetrës. Që nga marrja e azilit në korrik, ai ka mundur të udhëtojë dhe të flasë përpara publikut. Tani ai po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara, ku mendon se mesazhi i filmit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
“Është si një libër shkollor, një mësim - shikoni çfarë ju pret nëse jeni apolitik, nëse jeni të dobët, nëse i dorëzoheni vetëcensurës”, tha ai.
Ai ende nuk e di se çfarë do të bëjë më tej. Por nuk do të punojë më kurrë në një shkollë.
“Sepse e doja atë punë dhe më është dashur t’i them lamtumirë gjithçkaje”, tha ai. “Dhe kjo është shumë e dhimbshme për mua”.