Botë

Xhamia azere shndërrohet në stallë derrash nga forcat armene

Një xhami që daton nga shekulli 18-të në zonën e Azerbejxhanit, është shndërruar në një stallë derrash nga forcat armene. Pamjet e publikuara nga një zyrtar i lartë azer, tregojnë xhaminë e përdhosur, derisa ajo ndodhet në rajonin e Gubadlit, zonë e çliruar nga ushtria e Azerbejxhanit më 30 tetor.

Hikmet Hajiyev, zyrtar i shtetit, u ka bërë thirrje UNESCO-s, organizatave që merren me botën islamike, të dënojnë këto akte të forcave armene gjatë luftimeve në Nagorno-Karabak.

"Xhamia e Shekullit XVIII në fshatin e çliruar Mamar të Azerbajxhanit. Xhamia u shkatërrua plotësisht. Së bashku me vandalizmin, momumenti fetare në shenjë fyerje, u shndërrua në stallë derrash nga Armenia gjatë okupimit të fshatit Mamar”, ka shkruar Hajiyev në Twitter.

Luftimet mes forcave armene dhe azere në Nagorno-Karabak thuhet se janë duke vazhduar. Qindra civilë nga të dyja palët kanë vdekur ndërsa shumë të tjerë kanë marrë lëndime. Këto dy forca tash e sa kohë janë duke tentuar të arrijnë një armëpushim të qëndrueshëm, mirëpo deri tash s’ka pasur sukses.

Në arritjen e këtij armëpushimi janë përfshirë edhe fuqitë e mëdha, si Franca, Rusia, Turqia, si ndërmjetësuese.

Zona e Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si zonë e shtetit të Azerbejxhanit ndërsa është e banuar me armenë etnikë.