Botë

WP: Wagneri ofroi zbulimin e pozicioneve ushtarake ruse në Kiev në këmbim të tërheqjes ukrainase rreth Bakhmutit

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, ofroi në fund të janarit të zbulojë pozicionet ushtarake ruse në Kiev në këmbim të një tërheqjeje ukrainase rreth Bakhmutit, raportoi të hënën “The Washington Post”, duke cituar dokumente të Pentagonit.

Sipas raportimit të gazetës amerikane, Yevgeny Prigozhin, luftëtarët e të cilit kanë udhëhequr betejën për qytetin lindor të Ukrainës, e bëri ofertën nëpërmjet komunikimeve të tij sekrete me inteligjencën ukrainase, të cilat ai i ka mbajtur gjatë gjithë luftës.

Dokumentet nuk tregojnë se për cilat pozicione ruse do të kishte hequr dorë Prigozhini.

Dokumentet nuk zbulojnë qëllimin e Prigozhin për të folur me armiqtë e tij, por nuk është e pazakontë që vendet ndërluftuese të mbajnë një formë komunikimi. Megjithatë, Kievi thuhet se e refuzoi ofertën pasi nuk i beson shefit të grupit Wagner.

Sipas një dokumenti tjetër, Prigozhini i tha gjithashtu Ukrainës se ushtria ruse po luftonte me municione dhe i këshilloi ata të shtyheshin drejt kufirit të Krimesë.

Të hënën, themeluesi i Wagnerit përmes një postimi në Telegram ka mohuar se ka ofruar pozicione ruse, ndërsa Kremlini ka deklaruar se raporti i “Washington Postit” tingëllon si mashtrim.

Gjatë betejës për Bakhmutin, betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës së Ukrainës, Prigozhin ka sulmuar vazhdimisht komandantët ushtarakë rusë, duke u ankuar se Moska nuk po u dërgon mjaftueshëm armë luftëtarëve të tij për të marrë qytetin.

Javën e kaluar, kreu i Wagnerit kërcënoi se do të tërhiqte forcat e tij nëse nuk dërgoheshin më shumë armë në vijën e frontit, por më vonë tha se i ishte thënë se do të konsideroheshin si tradhtarë nëse largoheshin.