Botë

Vuçiqi, pas takimit me Palmerin: Ne me Amerikën nuk do të hymë në konflikt

Foto: Srbija Danas

Ka përfunduar takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthw Palmer. Siç është shprehur Vuçiq, ata të dy fillimisht kanë biseduar sy më sy, e pastaj edhe në prani të dy delegacioneve, raporton B92, transmeton koha.net.

Bisedimet ishin të hapëta, të sinqerta dhe të jam i ndershëm kundruall opinionit – jam i kënaqur edhe me përmbajtjen, meqë trajtuam të gjitha çështjet tona të kontestueshme, të gjitha dallimet mes nesh dhe do të thosha se jemi të vendosur të gjejmë zgjidhje në të ardhmen, që do të thotë edhe për marrëdhënie më të mira midis SHBA dhe vendit tonë”, u shpreh Vuçiq në konferencën me gazetarët, të zhvilluar pas takimit.

Do të thosha, u shpreh Vuçiq, se ishte një qasje konstruktive në lidhje me Prishtinën që sa më parë t’i kthehemi dialogut.

Sipas tij, qëndrimet e SHBA-së dhe të Serbisë në lidhje me Kosovën janë shumë të ndryshme, dhe për këtë nuk ka fshehtësi. “SHBA-ja ka njohur Kosovën, Serbia ka qëndrim tjetër, por Palmerit i jam mirënjohës që ishte i gatshëm të dëgjojë e të vërë kujdes çfarë kemi për të thënë, sot e më herët”, tha Vuçiqi, duke e falënderuar për mbështetjen e SHBA ndaj Serbisë në rrugën për në BE.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se Serbia nuk e ka ndërmend të futet në konflikt me Amerikën. “Ne nuk e kemi ndërmend të futemi në konflikt me Amerikën, nuk më shkon në mendje të konfrontohemi me fuqinë më të madhe”, ka thënë ai dhe ka shtuar se do të synojë që Serbia ta ruajë lirinë e vet, porse na është lënë një “shteg” përmes të cilit do të përbirohemi, duke krahasuar me atë populloren “si shtëpitë përmes tarabave”.

“Palmer më tha çfarë nuk i pëlqen në politikën serbe, ai m’i tha këto mua, ndërsa unë iu përgjigja”, tha Vuçiq dhe shtoi se pret që së shpejti të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut midis Beogradit e Prishtinës, ndërsa Serbia dëshiron që ky dialog të jetë i përgjegjshëm dhe serioz dhe të çojë në zgjidhje, transmeton Koha.net.

“Sepse Serbia është e gatshme për kompromis, por kurrsesi nuk do të pranojë të poshtërohet dhe të përul popullin e vet as në Kosovë, as në tërë shtetin”, është shprehur presidenti i Serbisë dhe përfundoi se pohimet sipas të cilave Serbisë duhet t’i bëhen trysni dhe t’i imponohet të bëjë diçka që nuk është në interesin e saj, është e pamundur.