Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vuçiqi në presion

Opozita në Serbi me thirrjet për anulim të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre ka organizuar protestën masive në qendër të Beogradit. Lideri autoritar i Serbisë, Alexandar Vuçiq, është cilësuar si hajn, teksa ai këto protesta ka thënë se janë të organizuara nga shtetet e huaja që duan ta rrëzojnë atë nga pushteti

Mijëra protestues në Beograd me thirrjet “hajna” kanë akuzuar autoritetet populiste të presidentit Alexandar Vuçiq për orkestrimin e mashtrimit në zgjedhjet e përgjithshme që kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Tubimi i madh në qendër të Beogradit ka përmbledhur dy javët e protestave kundër parregullsive në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Parregullsitë janë raportuar edhe nga mbikëqyrësit ndërkombëtarë të zgjedhjeve.

Në mesin e protestuesve ishte edhe Marinka Tepiq, një prej liderëve të opozitës, e cila ka nisur grevën e urisë para 13 ditësh në shenjë proteste kundër mashtrimit në zgjedhje.

Tepiq, e cila mezi ecte, u ka thënë protestuesve se zgjedhjet duhet anuluar dhe përsëritur.

“Më falni, sepse nuk kam asgjë të re për t’ju thënë. Ju kam thënë gjithçka – këto zgjedhje duhet të anulohen”, ka thënë ajo.

Edhe Reuters: Vuçiqi synon postin e kryeministrit dhe vendosjen e një aleati të tij në postin e presidentit Rajon 3 j. më parë Reuters: Vuçiqi synon postin e kryeministrit dhe vendosjen e një aleati të tij në postin e presidentit

Pas tubimit, Tepiq është dërguar në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Protestuesit gjithashtu po mbanin fotografitë e Zoran Gjingjiqit, ish-kryeministër serb, i vrarë në vitin 2003.

Partia Progresive ka shpallur fitoren në zgjedhje, por aleanca opozitare “Serbia kundër Dhunës” ka insistuar se zgjedhjet janë vjedhur, sidomos në garën për Beogradin.

Aleanca opozitare që prej 17 dhjetorit ka organizuar protesta të përditshme me thirrjet për anulim të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre.

Tensionet janë ngritur pas incidenteve dhe arrestimeve të përkrahësve të opozitës në protestat e javës së kaluar. Vetëm të shtunën janë arrestuar 38 protestues.

Edhe Kolumne 2 muaj më parë A do të rrëzohet sivjet nga pushteti autokrati serb Vuçiq?

Kritikët kanë thënë se Vuçiqi, aleat ultranacionalist i Milosheviqit gjatë viteve ’90, ka kthyer autokracinë e kohës së Milosheviqit në Serbi qëkur mori pushtetin në vitin 2012 dhe se ka kontrollin e plotë mbi mediat dhe institucionet shtetërore.

Vuçiqi ka akuzuar opozitën për nxitje të dhunës gjatë protestave me qëllim rrëzimin e qeverisë me urdhra të shteteve të huaja. Këto akuza i ka mohuar opozita.