Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vritet sulmuesi palestinez që theri me thikë një ushtar izraelit në Jerusalem

Policia izraelite ka qëlluar për vdekje një sulmues palestinez që ka therur me thikë një ushtar dhe një civil izraelit në Jerusalem.

Sulmi ka ndodhur në ditët e para të zbatimit të armëpushimit që i përmbylli njëmbëdhjetë ditët me luftime dhe në kohën kur partitë opozitare iu kthyen përpjekjeve për largimin e kryeministrit, Benjamin Netanjahu, me anë të krijimit të një koalicionin të unitetit.

Sulmi është dëshmia e fundit se sa e ndjeshme është situata pas ndaljes së valës së fundit të dhunës që shpërtheu pas dy javësh me protesta e përleshje ndërmjet forcave izraelite të sigurisë dhe protestuesve palestinezë.

Sulmet me raketa ndërmjet Izraelit dhe Hamasit palestinez rezultuan me 250 të vrarë, shumica absolute e të cilëve palestinezë civilë që jetonin në qytetin e Gazës. Sulmuesi i së hënës është identifikuar nga mediat palestineze si një 17-vjeçar që jetonte në lagjen Kafr Akab në Jerusalemin Lindor.

Sulmi ka ndodhur përballë selisë së policisë izraelite në afërsi të lagjes Sheik Xharrah, ku përpjekjet e kolonëve hebraikë për t’i dëbuar palestinezët nga shtëpitë kanë qenë në fokus të protestave kombëtare e ndërkombëtare. Dy persona në të njëzetat po trajtohen në spital, si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit.