Rezultatet e autopsisë për pesëvjeçaren Elena Del Pozzo kanë dalë të shtunën. Sipas autoriteteve italiane, Elena u godit 11 herë me thikë nga nëna e saj. Ajo nuk e gjeti vdekjen menjëherë, shkruan La Reppublica.
Sipas prokurorit të Catanias, Carmelo Zuccaro, plagët dyshohen se janë shkaktuar nga një thikë kuzhine dhe mund të jenë më shumë se 11. Arma e krimit ende nuk është gjetur.
Sipas Zuccaros, vetëm një goditje ishte vdekjeprurëse pasi preu enët arteriale të arteries subklaviane.
Prokurori kërkoi edhe një ekzaminim toksikologjik, për të shikuar nëse fëmijës i është dhënë ndonjë qetësues.
Nëna e Elenës, Martina Patti, që edhe e pranoi se e ka kryer krimin, ka thënë se gjithçka e ka bërë vetë. Por kjo nuk po bind hetuesit, që mendojnë se ajo u ndihmua nga dikush.
Patti fillimisht e kishte raportuar si të zhdukur vajzën e saj Elena, duke inskenuar një rrëmbim. Megjithatë, vetëm një ditë më pas, ajo çoi hetuesit drejt trupit të pajetë të Elenës që e kishte futur me një qese.
23-vjeçarja ishte ndarë nga partneri me të cilin kishte vajzën.
Motivet mbeten të paqarta, pavarësisht se është spekuluar në media se afërsia e Elenës me gruan e re të ish-partnerit të Pattit mund të kenë qenë arsyeja.