Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të punojnë ngushtë për të adresuar tregtinë e padrejtë

Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të mërkurën se Bashkimi Evropian dhe Japonia do të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të adresojnë çështjet si detyrimi ekonomik dhe praktikat e padrejta tregtare, ka shkruar Reuters.

Komentet e saj janë bërë pak kohë pas zhvillimit të samitit të përbashkët Japoni-BE, me kryeministrin japonez, Shigeru Ishiba, teksa blloku evropian ka vështirësi për t’i dhënë epilog marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një ditë para takimit me liderët nga Kina.

Japonia kishte arritur marrëveshje tregtare me SHBA-në të martën, duke i ulur tarifat për importin e automjeteve prej 25 për qind në 15 për qind, në këmbim të më shumë investimeve drejt tregut amerikan.

Von der Leyen është shprehur se BE-ja dhe Japonia do të synojnë të konsolidojnë sigurinë ekonomike.

“Ne do të punojmë më shumë së bashku për të adresuar detyrimin ekonomik dhe praktikat e padrejta tregtare”, ka thënë ajo, tek ka shtuar se “ne besojmë në konkurrencën globale dhe se prej saj duhet të përfitojnë të gjithë”.

Edhe Von der Leyen: Duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe të besueshëm Arbëri Von der Leyen: Duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe të besueshëm

Ishiba ka deklaruar para gazetarëve se blloku evropian e Japonia do të angazhohen maksimalisht për të ndërtuar dhe mirëmbajtur një rend ekonomik të bazuar në rregulla, i cili është njëkohësisht i lirë dhe i drejtë.

Ai ka shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të thelluar bashkëpunimin edhe në industrinë e mbrojtjes.