Një thes për mbeturina dhe disa rroba. Këto ishin krejt gjërat që kishte marrë me vete kur ishte arratisur. “Nuk kisha qasje te valixhet e mia, dhe më duhej të ngutesha. E zonja e shtëpisë kishte dalë për një moment nga shtëpia”, thekson 27-vjeçarja nga Gana, por që ekipi i “Der Spiegel” ka vendosur ta quajë Vanessa për ta mbrojtur identitetin e saj. Ajo po rrëfen historinë e arratisjes së saj në një mbrëmje të fundvitit 2019 në Liban. Taksia po e priste para dyerve të shtëpisë.
Punë, ditë e natë
Vanessa i kishte kaluar katër muaj në një familje libaneze, në qytetin bregdetar Byblos, tregon vetë ajo.
“Gjumin e bëja në një dyshek me ajër në dhomën e ndejës. Më jepnin vetëm një herë në ditë bukë”. Dhe brenda pak ditësh do t’i thuhej se pos shtëpisë, duhej të pastronte edhe zyrat e kompanisë së familjes. “Punoja nga ora gjashtë e mëngjesit deri në dhjetë të natës, shtatë ditë në javë. Isha bërë asht e lëkurë dhe vazhdimisht kisha dhimbje”. Në vend se t’ia jepnin 266 euro pagë – sikurse ishin marrë vesh – do ta paguanin vetëm 180 euro në muaj.
“Dhe në fund, nuk m’i dhanë as ato”. Vanessa është ulur në një dhomë të errët në kompleks të zhurmshëm banesash përgjatë autostradës ndanë detit. Ajo ndan dhomën e vogël me dy gra të tjera afrikane, të cilët gjithashtu ishin arratisur prej sistemit “kafala” të punës në Liban. “Der Spiege” është takuar me disa gra që kanë vuajtur si pasojë e këtij sistemi. Përshkrimet e atyre çfarë kanë përjetuar janë të tmerrshme dhe korrespondojnë me të dhënat e ekspertëve dhe organizatave që merren me studimin e sistemit “kafala”, megjithëse nuk mund të verifikohen hollësisht.
“Kafala” është sistem arab i sponsorizimit. Punëtorët emigrantë rekrutohen në vendet e tyre të lindjes për të punuar për familjet libaneze, ose drejtpërdrejt, ose nëpërmjet agjencive. “Sistemi nuk është i rregulluar si duhet dhe i padepërtueshëm”, thekson Zeina Mezher nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), degë e Kombeve të Bashkuara.
Tri kontrata për një punëtor
Kjo lidhet kryesisht me faktin se shpesh bëhen tri kontrata të ndryshme për një person. E para ndërmjet punëtores dhe agjencisë në vendlindjen e saj; e dyta ndërmjet punëdhënësit dhe një agjencie në Liban; dhe e treta ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit.
Kontrata që është nënshkruar në vendin e prejardhjes mund të mos ketë kurrfarë vlere dhe shmang përgjegjësinë për Libanin, përfshirë hollësitë për pagën, kohëzgjatjen e punësimit, orarin e punës dhe të tjera aspekte. Në të gjitha rastet, sponsori (kafili) duhet të mbulojë kostot e rekrutimit, që zakonisht përfshijnë udhëtimin, detyrimet ndaj agjencisë, banimin dhe lejet e punës, kontratën e punës, kontrollet mjekësore dhe sigurimin.
Pos kësaj, kafili është gjithashtu përgjegjës për ofrimin e dhomës. Sponsori ka përgjegjësi të plotë financiare dhe shteti nuk ka kurrfarë roli. Si pasojë e kësaj, punëtorët emigrantë ngelin në gjendje varësie. Është e pamundshme që të paditet dikush për mosdhënie page dhe punëtorët nuk mund të ndërrojnë punëdhënësin ose të vazhdojnë qëndrimin nëse nuk e kanë lejen e sponsorit.
Në shumë raste, atyre nuk u lejohet as të largohen nga shtëpia pa marrë lejen e pronarëve. “Krejt jeta e tyre sociale dhe personale rregullohet prej sponsorit, ose së paku, nuk ka rregulla që e parandalojnë një gjë të tillë”, ka thënë Mezher. Organizatat joqeveritare, si “Amnesty International”, llogarisin se më shumë se 250 mijë punëtorë të huaj jetojnë brenda sistemit kafala të Libanit, ose rreth tetë për qind të fuqisë punëtore të popullatës.
Sistemi i mbrapshtë i Gjirit
Sistemi i ka rrënjët në shtetet e Gjirit, thekson Nasser Yassin, hulumtues migracioni në Universitetin Amerikan të Bejrutit. “Koncepti vjen nga kultura e fiseve arabe, megjithëse zbatuar gjerësisht në Gjir, sepse popullsia e vogël e atjeshme është e varur prej mërgimtarëve”.
Der Spiegel