Botë

Vërshimet, rrugët në Bullgari e Turqi kthehen në “lumenj”

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut kanë çuar te vdekja e së paku 10 personave në Bullgari, Turqi dhe Greqi.

Në Bullgari, në pamjet nga zona Tsarevo, shihet se si uji mbuloi veturat.

Autoritetet kanë thënë se dy burra dhe një grua kanë vdekur si pasojë e vërshimeve.

Një nga burrat që vdiq ishte duke punuar në shtëpi ku gjendej një grua me vajzën e saj. Gruaje dhe vajza vazhdojnë të rezultojnë të zhdukura.

Lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe autoritetet po punojnë të evakuojnë turistët nga zona Arapya, në periferi të Tsarevos.

Një urë u shemb në jug të qytetit dhe ka raportime se tre persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Ministri i Ambientit i Bullgarisë, Julian Popov, ka thënë se mund të priten situata edhe më të rënda në të ardhmen si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ndërkohë edhe nëpër rrugët e Stambollit janë përmbytur veturat, ndërsa disa qytetarë kanë mbetur të ngujuar në një librari lokale.

Dy persona raportohet se kanë vdekur në këtë qytet.

Tre persona tjerë raportohet se kanë vdekur në provincën Kirklareli, jo shumë larg nga kufiri veriperëndimor i Turqisë me Bullgarinë.

Po ashtu vërshimet kanë shkaktuar dy të vdekur edhe në Greqi.

Greqia është goditur nga stuhia Daniel. Zona më e prekur është Magnesia.