Botë

Italia vendi i radhës që do të përballet me stuhinë Boris

Ekipet e shpetimit duke lundruar me barke ne Poloni per te arritur te personat ne nevoje

Foto: EPA/Ilustrim

Stuhi të fuqishme, që e kanë tronditur Evropën qendrore, janë duke iu afruar Italisë, ku janë lëshuar paralajmërime për reshje të dendura të shiut, erëra të forta dhe vërshime, raporton “BBC”. 
Paralajmërime janë lëshuar për pjesën më të madhe të Italisë. 

Vërshime janë raportuar tashmë në qytetin qendror Pescara, ndërsa janë lëshuar paralajmërime nga bregdeti verior i Emilia Romagnas deri në jugun e largët. 

Vërshimet kanë goditur rëndë pjesë të Polonisë, Republikës Çeke, Rumanisë dhe Austrisë këtë javë, duke lënë të paktën 21 të vdekur. 

Autoritetet në Kroaci, Hungari dhe Sllovaki, po ashtu po paralajmërojnë për vërshime në ditët në vijim. 

Vërshimet janë shkaktuar nga stuhia Boris, që ka sjellë reshje të shumta shiu dhe bore në fundjavë. 

Më tepër se 5000 ushtarë janë caktuar për të ndihmuar njerëzit në jug të Polonisë, përfshirë 40 mijë banorë të evakuuar nga qyteti Nysa. 

Dëme të mëdha janë shkaktuar në qytete polake, përfshirë Glucholazyn. 

Ura kryesore e këtij qyteti është shembur, ndërsa shumica e rrugëve janë mbuluar në baltë. 

Policia polake ka konfirmuar të martën se gjashtë persona kanë vdekur. 

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka shpallur një gjendje katastrofe natyrore për periudhë njëvjeçare – ku vërshimet më të rënda priten ta godasin qytetin Wroclaw të mërkurën.