Botë

Verë nën orë policore për fëmijët dhe adoleshentët në Francë

Policia franceze

Më shumë se 15 qytete franceze kanë vendosur ndalimin e lëvizjes gjatë natës për fëmijët dhe adoleshentët – një masë që do të qëndrojë në fuqi deri në shtator. Ky vendim, i konsideruar nga shumë si drastik, vjen pas rritjes së ndjeshme të dhunës urbane dhe vështirësive të autoriteteve për të garantuar rendin publik.

Në qytetin jugor të Beziersit, masa u ndërmor pasi disa efektivë policie ranë në një pritë të dhunshme. Ndërkohë, edhe Nimesi iu bashkua kufizimit pas një përplasjeje me armë zjarri të lidhur me trafikun e drogës, ku mbetën të plagosur gjashtë persona. Nisma po përqafohet gjithnjë e më shumë edhe nga bashki të vogla dhe të mesme në mbarë vendin.

Sipas rregullores, të miturit që kapen duke thyer ndalimin gjatë natës mund të përballen me gjoba deri në 150 euro, ndërsa prindërit e tyre do të thirren në komisariat.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e kësaj mase. Sindikata e policisë “Unité” e konsideron atë joefektive kundër trafikut të drogës.

“Të rinjtë që merren me krim qarkullojnë dhe qëllojnë me armë edhe në mes të ditës. Ora policore nuk i ndalon”, ka thënë Wissem Guesmi, përfaqësues i sindikatës.

Në Limoges, ku ndalimi është në fuqi prej disa ditësh, situata mbetet e tensionuar. Vetëm një natë më parë, rreth 100 persona të maskuar dhe të armatosur sfiduan policinë në trazira të dhunshme.

Megjithatë, ndalimi po përhapet edhe në bashki të drejtuara nga e majta. Në Saint-Ouen, në periferi të Parisit, kryebashkiaku socialist Karim Bouamrane vendosi kufizimin javën e kaluar.

“Prindërit më thonë: ‘Faleminderit, e mbështesim këtë vendim’. Ky është lehtësim për familjet e zonave të varfra që sot nuk kanë më mjete për të realizuar pritshmëritë e tyre edukative”, ka thënë ai.