Botë

Vendet skandinave do të financojnë pakon ushtarake prej 430 milionë eurosh për Ukrainën

Ushtria ukrainase

Foto: Associated Press

Norvegjia, Suedia dhe Danimarka kanë njoftuar planet për të financuar së bashku një pako mbështetëse për Ukrainën në kuadër të mekanizmit të ri SHBA-NATO, i cili u miratua muajin e kaluar me presidentin amerikan Donald Trump, ka shkruar Reuters.

Pakoja, që kap vlerën totale prej rreth 430 milionë eurosh, do të përfshijë mbështetje për “mbrojtjen ajrore të Ukrainës, municionin dhe pajisje të tjera thelbësore”.

Sidoqoftë, detajet e pakos nuk do të bëhen publike për arsye sigurie.

Suedia do të japë kontributin më të madh me mbi 230 milionë euro, e ndjekur nga Norvegjia me rreth 120 milionë euro dhe Danimarka me rreth 80 milionë euro, sipas vlerës totale të treguar, ka shkruar The Guardian.

Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik, ka thënë se pakoja e re synon të sigurojë që Ukraina “të marrë sa më shpejtë pajisjet që i nevojiten” për t’u mbrojtur nga Rusia.

Njëkohësisht, ministrat suedezë prezantuan skicën e marrëveshjes në një konferencë për shtyp në Stokholm.

Në deklaratën e saj hyrëse, ministrja suedeze e Energjisë dhe Industrisë, Ebba Busch, ka këmbëngulur se “kauza e Ukrainës është kauza jonë”, duke theksuar nevojën për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës në mes të sulmeve të vazhdueshme ruse.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, ka shtuar se sulmet e vazhdueshme tregojnë se ka pak dëshirë nga ana e Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit.

Kjo është pakoja e dytë e këtij lloji, pas njoftimit të Holandës për planet e saj për të shpenzuar rreth 500 milionë euro në armë amerikane për Ukrainën në kuadër të skemës së re.