Botë

Vendet e G7-tës dakordohen që t’u kundërpërgjigjen praktikave tregtare të Kinës

G7

Zyrtarët e lartë financiarë të shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) janë zotuar të enjten se do të adresojnë “çekuilibrimet” në sistemin ekonomik ndërkombëtar, që sipas mediumit britanik “The Guardian” u referohen praktikave tregtare të Kinës. 

Para takimit të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G7-tës, kishte dyshime se cili do të ishte rezultati përfundimtar, marrë parasysh mospajtimet rreth politikës tarifore të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe hezitimit të Washingtonit për ta kualifikuar luftën e Rusisë në Ukrainë si të jashtëligjshme.

Në komunikatën e publikuar pas takimit, u bë e ditur se anëtarët e G7-tës do të vazhdojnë të monitorojnë “politikat dhe praktikat jotregtare”, të cilat i kontribuojnë çekuilibrimit të tregtisë globale. 

Deklarata në vetvete nuk përmendi Kinën, por “praktikat jotregtare” zakonisht u referohen subvencioneve të eksportit dhe politikave valutore të atij vendi. 

“Ne arritëm pajtim në çështjet më të rëndësishme botërore me të cilat ballafaqohemi”, ka thënë ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Champagne gjatë një konference për shtyp të enjten.

“Mendoj se kjo dërgon një mesazh të qartë për të gjithë botën...se G7-ta qëndron e bashkuar në qëllimet dhe veprimet e saj”, ka shtuar ai.

Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Britania e Madhe, Japonia, Gjermania, Franca e Italia u vlerësua si më miqësor në krahasim me takimin e mëparshëm të G7-tës në muajin mars.