Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vazhdojnë protestat masive të fermerëve polakë kundër importeve ukrainase e politikave të BE-së

Fermerët polakë duke protestuar me traktorë kanë bllokuar të mërkurën autostradën që çon në Varshavë, ndërsa mijëra të përkrahësve të tyre janë mbledhur para Kryeministrisë, raporton agjencia “AP”.

Disa shkelën flamurin e Bashkimit Evropian dhe dogjën një arkivol të improvizuar në të cilën shkruanin fjalët “fermer”.

Protestuesit po kërkojnë tërheqjen nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, plan që ka për qëllim të luftohen ndryshimet klimatike me masat që fermerët i kanë denoncuar shumë të shtrenjta. Po ashtu fermerët polakë duan që të mbyllet kufiri polako-ukrainas për të ndaluar importet e produkteve ushqimore ukrainase.

“Dua të jem fermer, jo skllav i Brukselit”, është shkruar në një mesazh.

Protesta të tilla janë mbajtur nëpër 27 shtete anëtare të BE-së, por kjo në Poloni ishte më e dhunshme krahasuar me ato në vendet qendrore evropiane.

Fermerëve u janë bashkuar në Poloni edhe minatorët, gjuetarët e po ashtu përkrahës tjerë. Ata i ranë sirenave dhe ndezën fishekzjarrë e bomba tymosëse, përkundër paralajmërimeve nga policia se është i ndaluar përdorimi i mjeteve piroteknike. Disa protestues kanë djegur goma.