Mijëra izraelitë kanë marrë pjesë në protestën kundër planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu që kritikët thonë se kërcënon demokracinë dhe liritë e njeriut. Protesta është organizuar në Tel Aviv pak ditë pasi u betua qeveria e krahut të djathtë. Protestuesit kanë mbajtur pankarta kundër qeverisë dhe flamujt me ngjyrat e ylberit.
Disa prej protestuesve kanë brohoritur në përkrahje të palestinezëve. Protesta është organizuar nga partitë e majta dhe deputetët arabë në Knessetin izraelit. Ata kanë kundërshtuar planet e qeverisë së re, që sipas tyre, do të rrënojnë sistemin gjyqësor dhe do të zgjerojnë ndasitë shoqërore.
Protestuesit kanë kritikuar ministrin e Drejtësisë, Yarin Levin, i cili të mërkurën ka prezantuar planin për ndryshimet gjyqësore që kanë për qëllim të dobësojnë Gjykatën Supreme të Izraelit. Kritikët kanë thënë se qeveria e Netanyahut do të rrezikojë institucionet demokratike, duke i dhënë pushtet absolut koalicionit të ri qeverisës.