Vendet kudo përreth globit kanë mbyllur të hënën kufijtë me Britaninë e Madhe, si pasojë e frikës nga varianti i ri tejet infektues i koronavirusit, duke nxitur kaos udhëtimesh dhe duke i rritur gjasat për mungesë të produkteve ushqimore në ditët kur vendi është paraparë që të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Për dallim prej formës së mëparshme, varianti i ri, me aftësi të përhapjes rreth 70 për qind më të shpejtë mes njerëzve, dyshohet se mund të bëhet më infektues edhe mes fëmijëve, kanë paralajmëruar shkencëtarët.
Duke i informuar gazetarët rreth gjetjeve të fundit, shkencëtarët nga Grupi Këshillues për Kërcënimet e Reja dhe Ekzistuese nga Viruset Respiratore (NERVTAG), i cili ka gjurmuar variantin, ka bërë të ditur se kjo formë e re është përhapur me shpejtësi në jug të Britanisë dhe mund shumë shpejt të depërtojë edhe përtej vendit.
“Tani jemi thellësisht të bindur se ky variant i ri e ka avantazhin e transformimit mbi variantet e tjera të virusit që aktualisht qarkullojnë në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Peter Horbt, profesor i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Oxfordit dhe shef i NERVTAG-ut.
“Ekziston edhe një sinjal se ai e ka propabilitetin më të madh për të infektuar fëmijë”, ka bërë të ditur Neil Ferguson, profesor dhe epidemiolog i sëmundjeve ngjitëse në Kolegjin Mbretëror të Londrës, si dhe pjesëtar i NERVTAG-ut. “Nuk kemi krijuar ndonjë lloj të dhëne lidhur me këtë, por kësisoj mund të shihet në të dhëna”, ka shtuar Ferguson. “Na duhet që të mbledhim edhe më shumë të dhëna për të parë se si do të sillet ai në vijim”.
Wendy Barclay, një tjetër profesoreshë e NERVTAG-ut dhe eksperte e virologjisë në Kolegjin londinez, ka thënë se mes mutacioneve të variantit të ri përfshihen ndryshimet në mënyrën se si virusi hyn në qelizat njerëzore, që kjo mund të nënkuptojë “se fëmijët janë, mbase, po aq të cenueshëm nga ai sa dhe të rriturit”.
Edhe
Britania në alarm shkaku i zbulimit të variantit të dytë të koronavirusit
“Andaj, duke i pasur parasysh shtigjet e përziera, mund të pritet që fëmijët të jenë në të ardhmen më të infektuar”, ka shtuar ajo.
Bllokadat mbarëbotërore
Shfaqja e variantit të SARS-Cov-2 me mutacion, për të cilin shkencëtarët kanë thënë se është 70 për qind më përhapës sesa versionet e mëhershme në Britani, ka nxitur vendet kudo përreth botës që ta izolojnë shtetin ishullor. India, Pakistani, Polonia, Spanja, Zvicra, Suedia, Rusia, Jordani dhe Hong-Kongu kanë pezulluar udhëtimet për britanikët qysh se kryeministri, Boris Johnson, ka bërë të ditur se versioni që ka pësuar mutacion është identifikuar në vend. Arabia Saudite, Kuvajti dhe Omani i mbyllën kufijtë e tyre tërësisht.
Disa vende të tjera i bllokuan udhëtimet nga Britania gjatë fundjavës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Irlandën, Belgjikën dhe Kanadanë – ndonëse ekspertët kanë thënë se varianti i ri mund të ketë qenë në qarkullim nëpër vendet me metodat më pak të avancuara të detektimit sesa Mbretëria e Bashkuar.

Franca ka mbyllur kufijtë për personat dhe për kamionët e ardhur nga Britania, duke e bllokuar njërën prej arterieve më të rëndësishme tregtare në gjithë Evropën. Si rrjedhojë, kamionët kanë krijuar radhë qindra-kilometërshe në autostradën që shpie drejt portit të Doverit, porta kryesore tregtare e Britanisë me kontinentin.
“Gjasat për të mbërritur në shtëpi për Krishtlindje po më veniten. Është budallallëk dhe jam përnjëmend nervoz. Jam shumë i zemëruar për gjithë këtë situatë”, ka thënë Stanislaë Olbrich, një ngasës polak i kamionit që është ngujuar në veri të Doverit.
Ndikimi i variantit të ri tek vaksinat
Edhe
Alarm ndërkombëtar për variantin e ri të koronavirusit
Zbulimi i variantit të ri, vetëm pak muaj para se vaksinat kundër COVID-19 të jenë të disponueshme kudo, ka ndjellë panik të ri rreth pandemisë, e cila deri më tani ka lënë të vdekur rreth 1.7 milionë njerëz kudo në botë dhe 67.000 vetëm në Britani.
Guvernatori i New Yorkut, Andreë Cuomo, ka nxitur Qeverinë amerikane që të ndërmarrë masa për parandalimin e hyrjes së variantit të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ky i goditur më së rëndi nga COVID-19, me pothuajse 318.000 të vdekur.
“Ka ardhur koha që Qeveria federale të ndërmarrë veprime të shpejta, ngase sot ky variant po futet në një aeroplan dhe po aterron në JFK, dhe krejt çfarë duhet është vetëm një person”, ka thënë ai.
“British Airways” është pajtuar që t’i lejojë në aeroplanë vetëm pasagjerët që kanë rezultuar negativë në testin për koronavirus.
Ndihmëssekretari amerikan për Shëndetësi, Bret Giroir, ka thënë se ende asgjë nuk është vendosur për sa u përket ndalesave të udhëtimit me vendin. Zyrtarët evropianë, nëpërmjet videolidhjes, janë takuar për t’i koordinuar përgjigjet ndaj rrethanave të reja.
Ndërkaq të hënën, Bashkimi Evropian është vënë në shtegun e nisjes së vaksinimit brenda pak javësh, pasi që rregullatori evropian i mjekësisë ka aprovuar përdorimin e kurës së zhvilluar nga partnerët “Pfizer” dhe “BioNTech”.
Ekspertët kanë thënë se nuk ekzistojnë dëshmi se vaksinat e zhvilluara deri më tani nuk do të ofrojnë mbrojtje kundër këtij varianti, por kanë shtuar se janë duke punuar në drejtimin e përcaktimit nëse mutacionet do të ndikojnë në mënyrën se si funksionojnë injektimet ndaj infektimit.
Këshilltari kryesor shkencor i Qeverisë britanike, Patrick Vallance, ka thënë se kufizimet më të ashpra të jetës publike në Britani janë më se të mundshme.
Edhe
“E sëmura e Evropës”: Britania izolohet shkaku i formës së re të koronavirusit
“Do të thosha se dëshmitë janë se ky virus po përhapet shumë më lehtë, është më i bartshëm dhe prandaj duhet të garantojmë se e kemi të zbatuar nivelin e duhur të kufizimeve”, ka thënë Vallance në një konferencë për media të organizuar nga kryeministri Johnson. “Dhe mendoj se është më se reale që të pritet që masat të shtohen në disa vende në shtegun e prekur, e jo të hiqen”.
Si rrjedhojë, Johnson ka anuluar planet e Krishtlindjes për miliona britanikë gjatë së shtunës, ndonëse ai ka thënë se nuk ekzistojnë dëshmi që varianti i ri është më vdekjeprurës apo se shkakton sëmundje më të rëndë sesa varianti ekzistues.
Ky variant dhe kufizimet kanë shkaktuar kaos në Britani, derisa vendi po bëhet gati që t’i shkëpusë përfundimisht rrugët me Bashkimin Evropian, mbase pa një ujdi tregtare, kur periudha transitore e Brexitit të përfundojë në natën e 31 dhjetorit. \ Reuters