Botë

Varianti Delta rrënon shpresat e Evropës për turizëm

Certifikatat e COVID-19 të Bashkimit Evropian të lansuara të enjten mund t’i lehtësojnë disa udhëtime, porse mbërritjet në pikat e parapëlqyera turistike nga Portugalia deri në Kroaci do të jenë bukur nën nivelet e normales, duke i vënë në rrezik bizneset dhe gastronominë

Ndonëse jo ende krejtësisht i humbur, sezoni i turizmit jetik veror për ekonomitë e Evropës do të jetë larg më pak buçitës teksa përhapja e variantit Delta të koronavirusit dhe telashet në udhëtim po i mbajnë britanikët dhe adhuruesit e tjerë të diellit e detit brenda kufijve të tyre.

Certifikatat e COVID-19 të Bashkimit Evropian të lansuara të enjten mund t’i lehtësojnë disa udhëtime, porse mbërritjet në pikat e parapëlqyera turistike nga Portugalia deri në Kroaci do të jenë bukur nën nivelet e normales, duke i vënë në rrezik bizneset dhe gastronominë.

“Rimëkëmbja e turizmit në Portugali është ndalur”, ka thënë Raul Martins, shef i asociacionit shtetëror të hoteleve AHP, duke aluduar në kufizimet e reja të udhëtimit nga Britania e Madhe deri në Gjermani.

Varianti Delta që përhapet shumë më shpejt po nxit rritjen e numrit të rasteve të reja në magnetin turistik të Algarves së Portugalisë, Albufeira, dhe ai fajësohet për më shumë se gjysmën e të infektuarve të rinj në kryeqytetin Lisbonë. Shto kësaj edhe vendimin e muajit të shkuar të Britanisë për ta hequr Portugalinë nga “lista e gjelbër” e destinacioneve dhe veprimin e Gjermanisë për t’i kufizuar udhëtimet aty në prag të lëshimit të certifikatave të BE-së që e paraqesin statusin e vaksinimit ndaj COVID-19 të turistëve.

Në përjashtim të fare pak vendeve, sektori i turizmit ka pësuar goditje në pothuajse gjithë jugun e Evropës: është më mirë seç ishte verën e 2020-s, por përgjysmë më poshtë sesa normalisht para pandemisë.

Në Greqi, ku turizmi përbën një të pestën e ekonomisë, Banka Qendrore ka shprehur këtë javë shqetësime rreth varianteve të reja teksa për 2021-n ka parashikuar të ardhura nga turizmi sa 40 deri në 50-përqindëshi i 2019-s, kur kishte pritur numër rekord prej 33 milionë vizitorësh.

Spanja, nga ana tjetër, ka ngritur përllogaritjet për shifrat e sivjetme turistike në 45 milionë vizitorë – rreth 54 për qind e nivelit të 2019-s – nga 42 milionë sa ka parashikuar muajin e shkuar.

Në shtetet veriore evropiane, industritë e pushimit janë duke lobuar te qeveritë për të gjetur mënyra të sigurta për qasjen më të madhe dhe më të shpejtë në destinacionet e tyre.

Plani i majit i Britanisë së Madhe për rinisjen e udhëtimeve, pas më se katër muajsh izolim, ka nxitur zhgënjim te operatorët, pasi që vetëm një numër i kufizuar i destinacioneve më të vogla janë aktualisht në “zonën e gjelbër” të udhëtimeve pa domosdoshmërinë e karantinimit.

Një kokëçarje e re për industrinë britanike është ballafaqimi me ndryshimet e përnjëhershme të rregullave nëpër Evropë. Malta, për shembull, ka ndaluar vizitorët britanikë që nuk janë tërësisht të vaksinuar kundër COVID-19.

Megjithëse një studim i OKB-së këtë javë ka përshëndetur pasaportat e COVID-it të BE-së si një shembull i rrallë i harmonizimit të aranzhimeve në udhëtime, ato po vlerësohet se nuk do të jenë të mjaftueshme për ta shpëtuar verën evropiane.