Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë të enjten se India dhe Pakistani duhet t’i shtensionojnë raportet, porse ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i kontrollojnë të dyja vendet nukleare dhe se lufta ndërmjet tyre nuk është në “interesin tonë”.
“Duam që kjo të depërshkallëzohet sa më shpejtë të jetë e mundur. Nuk mund t’i kontrollojmë këto vende”, ka deklaruar Vance në një intervistë për transmetuesin Fox News.
“Ajo që mund të bëjmë është të përpiqemi t’i inkurajojmë këta njerëz që t’i ulin tensionet, por nuk do të përfshihemi në një luftë, që në thelb, nuk është në interesin tonë dhe që nuk ka lidhje me aftësinë e Amerikës për ta kontrolluar atë”, ka shtuar ai.
India shihet si partner i rëndësishëm për SHBA-në, e cila synon që përmes thellimit të raporteve me vendin e Azisë Jugore të kundërbalancojë ndikimin e Kinës, ndërkaq edhe Pakistani vazhdon të mbetet aleat amerikan, pavarësisht humbjes së rëndësisë që nga tërheqja e Washingtonit prej Afganistanit në vitin 2021.
India sulmoi atë që e quajti “infrastrukturë terroriste” të Pakistanit në orët e hershme të së mërkurës, dy javë pasi e kishte akuzuar vendin me shumicë myslimane për përfshirje në sulmin i cili la të vdekur 26 persona në Kashmirin e kontrolluar nga India.
Islamabadi zyrtar ka mohuar akuzat dhe është zotuar se do të hakmerret.