Duke lexuar ditarin tim të asaj kohe, pyesja veten nëse kisha qenë me të vërtetë e papjekur. Jo të gjitha vajzat u fiksuan pas klubit (edhe pse në atë kohë ishte një epidemi në shkollën time). Por duke folur me miqtë tani dhe duke dëgjuar rrëfimin e Alices, mund të shoh se ndoshta isha mjaft tipike. Në moshën 15-vjeçare mund të kem pasur çantë dore dhe parfum “Coco Chanel”, por mendja ime duhej të rritej për edhe të paktën një dekadë
Mënyra se si një nga akuzueset e Russell Brand – me pseudonimin Alice - e përshkroi atë tek i kërkonte të dilte me të, kur ishte vetëm 16 vjeçe, ishte tepër e njohur për mua dhe për gratë e tjera me të cilat kam folur. Për takimin e tyre të parë, Alice veshi një fustan të kuq dhe mbathi këpucë me platformë. Ajo e përshkroi veten edhe në programin Dispatches: “Unë nuk dukesha si një grua, në asnjë mënyrë. Unë isha një fëmijë që isha veshur për darkë”.
Alice mendon se Brand e kishte planifikuar në fillim krijimin e një marrëdhënieje kontrolluese me të, që përfundoi në sulm seksual, dhe historia e saj më bëri të mendoja për ata burra të pashëm të cilët më jepnin vëmendje dhe unë ndihesha shumë e lumtur - DJ, model, një yll popi - kur isha 15 vjeçe dhe doja me ngulm të gjeja dashurinë dhe një vend në botë, jashtë shtëpisë dhe shkollës. Mendova se isha në rrugë të duhur, por nuk isha në dijeni se sa pjekuri kisha arritur, sa për të hequr dorë nga terri i adoleshencës.
Alice që atëherë ka shprehur idenë e rritjes së moshës për interaktivitet seksual në Mbretërinë e Bashkuar, për ta cilësuar vepër penale aktin seksual të një personi mbi 21 vjeç me dikë nën moshën 18 vjeçe. Nuk është befasi që sugjerimi i Alices ka ndezur një debat kombëtar, pasi bisedat e mia private me gratë kanë zbuluar se shumë prej nesh mësuan si vajza, për marrëdhëniet seksuale me burra, shpesh një dekadë më të rritur se ne. Ashtu si për pagat, njerëzit preferojnë të mos flasin për këtë në publik, por derisa këto kujtime të varrosura dhe të mjegullta të aventurave rinore tani dalin në sipërfaqe, ne kthehemi prapa dhe vërejmë se çfarë fëmije ishim dhe rivlerësojmë etikën dhe ndikimet.
Në fakt, u zgjova këtë mëngjes duke menduar se takimi me burra si vajzë duhet të ketë qenë çelësi për të më kushtëzuar jetën patriarkale. Nuk është se ndonjëri prej tyre më ka lënduar fizikisht, ose më ka bërë diçka pasi u kam thënë jo, por ndonjëherë – jo gjithmonë – as që e kam ndier se mund të them jo. Doja vëmendjen e tyre, doja të isha pjesë e botës së të rriturve dhe doja të më pranonin. Mosbalancimi i fuqisë ishte tronditës.
“Vetëm hyrja në klub ishte ëndërr e realizuar”
Këta burra më dukeshin tërheqës - dukeshin të mrekullueshëm dhe kishin të gjitha liritë misterioze të moshës madhore: punën, pavarësinë, paratë, qasjen sociale, emocionet romantike - por i doja më shumë për shkak të sigurisë së imagjinatës sime, sesa në jetën reale, ku mospërputhja ishte jashtëzakonisht e dukshme. Të qenit me ta nuk më ofroi kënaqësi apo dashuri dhe u rrita duke menduar se kjo duhej të ishte normale. Unë kurrë nuk e tregova zhgënjimin apo lëndimin tim, por, përkundrazi, u përpoqa të veproja si e pandikuar. Gjithçka më dukej si një eksperiment në përvojat e vështira që u detyrova të kaloja.
Ishin DJ-të tërheqës që bashkëjetonin në një banesë dhe na ftuan mua dhe shoqen time – të vetëdijshëm – disa herë, kur ishim thjesht gjak i freskët në skenën e klubit. Thjesht hyrja në klub ishte një ëndërr që u bë realitet, dhe madje na lejonin të qëndronim ende pas mbylljes së lokalit, duke i pritur DJ-të që të merrnin gjësendet e tyre. Secila prej nesh pëlqente njërin prej tyre dhe pasi u mblodhëm me të preferuarit tanë natën e parë, shpresuam që ata të bëheshin të dashurit tanë. Dëshiroja të kisha një të dashur, në të njëjtën mënyrë të paqartë, kur në moshën 12-vjeçare dëshiroja të vishja sytjenë - si rrobë e të qenit person plotësisht i rritur, për të cilin nuk kisha durim të bëhesha.
Kur takova këngëtarin e popit, ai ishte në fund të të 20-tave – ai ishte jeta dhe shpirti i festës, të cilën unë e vlerësoja si mbresëlënëse dhe jo si një flamur të kuq. U deha pak më shumë se zakonisht (nuk u desh shumë) dhe biseda shkoi më mire sesa me shumicën e të rriturve të tjerë. Ai ishte aq i ëmbël dhe puthej kaq mirë dhe sapo filluam, nuk mund të ndaleshim, por rrotullimi i romancës mori fund të papritur kur ai më futi në tualet dhe më detyroi të kryeja akt seksual. Ndjeva një përzierje të paimagjinueshme zhgënjimi. “Nuk ishte aq keq sa mendoja se do të ishte”, shkrova në ditarin tim, duke u përpjekur të jem optimiste.
Unë kurrë nuk i pranova ftesat e tjera, për të shkuar në banesën e tij.
Ai nuk më ndoqi më, por mbeti miqësor; gjithmonë kam pasur ndjenjën se ai ishte një person në thelb i mirë.
Për të ilustruar plotësisht sjelljen e pakuptimtë të një 15-vjeçareje, unë përfundova duke kaluar një natë të çuditshme me një agjent marketingu të një klubi, i cili nuk më kishte tërhequr kurrë. Kisha dalë vetëm dhe ai rrinte me mua, sikur të isha gruaja e tij. U ndjeva e veçantë kur më kërkoi që të vazhdonim natën së bashku - mendova se do të ishte një festë, por nuk ishte. Teksa u shtrimë në shtrat, u bëra kinse më merrte gjumi, duke dashur që ai të mos bënte asnjë lëvizje kundrejt meje, sepse, sado qesharake që të duket, mund të isha ndier e detyruar të kryeja marrëdhënie seksuale nga mirësjellja ose detyrimi i gabuar. Kjo, supozova, ishte ajo që bënin vajzat e tjera, më pak të turpshme në klube. Ai nuk më preku dhe për këtë ndjeva mirënjohje të vërtetë.
Është e qartë se isha naive, por mendoja se i dija të gjitha dhe se isha një hap para shoqeve të shkollës, të cilat ende rrinin me djem adoleshentë të papjekur. Unë i kacavirresha kësaj vëmendjeje nga burrat, si një shenjë se do të futesha shpejt në jetën e sofistikuar të të rriturve, pavarësisht se dukesha më e re se shumica e bashkëmoshatarëve të mi. Nuk isha ekstroverte kokëfortë, as e gjatë apo e zhvilluar, dhe shihej qartë nga fytyra ime se isha e mitur.

Isha si shumë të tjera
Duke lexuar ditarin tim të asaj kohe, pyesja veten nëse kisha qenë me të vërtetë e papjekur. Jo të gjitha vajzat u fiksuan pas klubit (edhe pse në atë kohë ishte një epidemi në shkollën time). Por duke folur me miqtë tani dhe duke dëgjuar rrëfimin e Alices, mund të shoh se ndoshta isha mjaft tipike. Në moshën 15-vjeçare mund të kem pasur çantë dore dhe parfum “Coco Chanel”, por mendja ime duhej të rritej për edhe të paktën një dekadë.
Siç thonë të gjithë terapistët e mirë të marrëdhënieve seksuale, ne në mënyrë të pandërgjegjshme kërkojmë të përsërisim atë që është e njohur për ne, nga marrëdhëniet tona të mëparshme. Pra, këto takime të hershme mund të vendosin shiritin për marrëdhëniet seksuale të ardhshme dhe dinamikën e tyre. Një shoqe më tha një ditë më parë, se përvojat e saj me burra të moshuar e anuan negativisht jetën e saj seksuale për vite me radhë.
Nuk zgjidhja ku të shkonim, çfarë muzike kishte; pak varej nga unë.
Norma që u vendos për mua nuk ishte dhuna seksuale, por që burrat dominonin seksualisht, financiarisht, përgjithësisht. Do të shkoja aq larg sa të them se indoktrinimi tinëzar i seksizmit gjatë gjithë vajzërisë sime arriti kulmin me dinamikën e burrave të moshuar.
Kjo nuk do të thotë se djemtë adoleshentë janë një propozim i sigurt – takime shumë më traumatike kam pasur me djemtë e moshës sime kur isha 17 vjeçe. Në disa mënyra, të qenit 15 vjeçe ishte një nga periudhat më të mira në jetën time, dhe ato net klubi ishin si toka të fshehta të lirisë së ëmbël. Ju nuk mund t’i ndaloni adoleshentët që të udhëhiqen nga hormonet e tyre, por shpresoj që debati që ka nisur Alice do ta bëjë të paktën të papranueshme në shoqëri, që të rriturit të përfshihen seksualisht me adoleshentët.
Do të jetë befasi e vogël, në përsëritjen e atyre modeleve të rrënjosura në moshë të re, kur përfundova duke jetuar me një burrë 20 vjet më të madh se unë, në fillim të të 20-ave. Ai ishte i mrekullueshëm, më trajtonte me respekt dhe nuk ishte aspak kontrollues. Vetëm kur fillova të shoqërohesha me miqtë e tij e ndjeva se kisha pak për të ofruar, përveç rinisë. Sa e urreja atë ndjenjë të pafuqishme, boshe. Edhe tani, disa dekada më vonë, ajo ndjenjë vjen ende për të më vizituar.
Përktheu: Forca Jashari