Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vajzat e padëshiruara të Indisë

Paramjit rri ulur mbi një karrige plastike në Sohiyan Kalan, një fshat i vogël në verilindje të Indisë, teksa vëzhgon me shikimin e turpëruar hedhur drejt dyshemesë dhe i këput zemërueshëm copëzat e shamisë së saj të verdhë. Ka njëzet vjet dhe është në pritje të fëmijës së saj të tretë. Tanimë ka sjellë në jetë dy vajza.

Qëkur mësoi se është prapë shtatzënë, ajo përditë shkon në një tempull.

“Lutem me të dy duart që kësaj radhe të më lindë djalë. U them zotërve se do t’u jepja gjithçka që më kërkojnë, sikur të ma dhuronin vetëm një djalë”, thotë ajo.

Nëna rioshe është nën presion. Kunata për çdo ditë tallet me të për faktin se nuk ka qenë në gjendje të lindë djalë. Nëna e këshillon që ta bëjë një test, në mënyrë që ta mësojë gjininë e foshnjës.

“E çfarë pastaj? Çfarë të bëj nëse mësoj se është prapë vajzë?”, e pyet Paramjit. “Atëherë abortoje”, i thotë e ëma.

Edhe Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë Botë 2 j. më parë Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë

“Po të kisha para, do ta bëja, edhe testin edhe abortin. Të gjithë më këshillojnë që t’i jap fund shtatzënësisë në rast se është vajzë, sepse tanimë i kam dy vajza”, thotë e pikëlluar Paramjit.

Ligji ekziston, por tradita është më e fortë

Në Indi, përcaktimi i gjinisë së foshnjave përpara lindjes është ndaluar me ligj qysh para 25 vjetësh. Por ligjet nuk po arrijnë ta ndryshojnë traditën. Foshnjat vajza përbëjnë ngarkesë për shumë indianë, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Kjo për faktin se prindërit e nuses duhet t’i mbulojnë shpenzimet e dasmave dhe të përgatisin pajë.

Edhe kjo gjë është shpallur e jashtëligjshme qysh më 1961, por megjithëkëtë më shumë se 90 për qind e martesave edhe më tutje gjenerojnë sasi të mëdha parash për prindërit e dhëndrit.

Në vend të përdorimit të emrit pajë, sot përdoret shprehja dhurata për prindërit e dhëndrit. Dhe të gjitha këto janë bukur më të kushtueshme sesa paja apo testi i gjinisë para lindjes së foshnjës.

Ani pse autoritetet indiane potencojnë se nëpër klinikat e vendit më nuk bëhen të tilla teste, ato fare lehtë kryhen, thotë Paramjit. Krejt çka ju duhet është paraja.

“Ja, dy-tri rrugë më larg, aty ndodhet një infermiere. Ajo jua merr nga 100 euro dhe ju garanton se mund ta parashikojë me 100 për qind saktësi nëse do të keni djalë apo vajzë”, thotë ajo.

Kësisoj, edhe Qeveria indiane u detyrua të pranojë se për çdo vit në këtë vend “mungojnë” nga dy milionë vajza. Ato ose janë abortuar ose janë vrarë menjëherë pas lindjes – ose edhe vdesin nga neglizhenca. Pas kësaj: në vend jetojnë 20 milionë vajza, të cilat thjesht janë të padëshiruara.

Disa prej tyre mbajnë emrin Nakushi, që do të thotë – e pakëndshme ose e padëshiruar.

Image

Dhjetë mijë vajza të palindura çdo vit

Edhe (Mos)suksesi i eksperimentit të Hungarisë për të rritur lindshmërinë Botë 1 muaj më parë (Mos)suksesi i eksperimentit të Hungarisë për të rritur lindshmërinë

Për ta ndryshuar këtë qëndrim tradicional ndaj vajzave, Seyho Singh ka themeluar një organizatë me qëllim të fuqizimit të vajzave në Indi.

“Në Azinë Jugore ekziston njëfarë tendence kundër vajzave, e cila është krijuar gjatë tri dekadave të fundit dhe ndërlidhet me nevojën e përgatitjes së pajës. Të bijtë konsiderohen garanci për pasuri materiale, e krejt papritur testet me ultratingull kanë prodhuar gjenocid. Vlerësojmë se këto teste të jetës u kushtojnë me jetë rreth nëntë mijë vajzave – çdo ditë”, thotë Singh.

Qeveria gjatë viteve të fundit ka vërejtur po ashtu se ndalesat nuk po prodhojnë rezultate. Tani ekzistojnë programe të mbështetjes për vajzat. Një prej tyre është “Shpëtojë vajzën dhe arsimoje”, përcjell “Koha Ditore”.

Presidenti indian ka prezantuar më 2017 një aplikacion, i cili quhet “Selfie me vajzën”. Baballarët dhe nënat do të duhej që të dërgonin aty fotografitë e tyre me të bijat.

Kësisoj, punëtorët socialë shkojnë në fshatra dhe i tregojnë fotografitë e grave pilote, grave të angazhuara në kompanitë e mëdha, grave politikane. Kjo për shkak se të tilla gra në Indi nuk ka.

Gjatë viteve të gjashtëdhjeta, Indira Ghandi ishte e vetmja kryeministre grua në botë – në ato kohë gratë gjermane edhe më tutje duhet të kërkonin leje prej bashkëshortëve për t’u punësuar.

Por të bijat rëndom duhet ta braktisin shtëpinë e prindërve kur të martohen. Ato më nuk i përkasin familjes, por bashkëshortit dhe familjes së tij. Kur familjet indiane pyeten se sa fëmijë kanë, shpesh ndodh që në përgjigje të përmenden vetëm të bijtë.

Për këtë arsye, Paramjit e ka të vështirë t’i kundërvihet familjes dhe ta lindë me krenari të bijën e tretë.

Që prej fëmijërisë së hershme ajo e kishte ndierë në lëkurën e saj se vajzat vlejnë më pak.

Edhe Gratë që kryen lindje në privat ankohen për mosvizitim të fëmijëve të tyre në shtëpi Arbëri 1 muaj më parë Gratë që kryen lindje në privat ankohen për mosvizitim të fëmijëve të tyre në shtëpi

“Vëllai im ishte i përkëdheluri i shtëpisë. Motrat dhe unë mund t’i vijonim mësimet e shkollës fillore deri në klasën e pestë, teksa ai shkonte në shkollë private dhe mund të studionte, po të donte”, thotë ajo, transmeton “Koha Ditore”.

Nëse Paramjit lind të bijën e saj të tretë, familja e bashkëshortit do të mundë ta dëbonte nga shtëpia. Kjo do të thotë se ajo do të mbetej vetëm, pa para. Tri vajzat e saj, sikurse edhe miliona vajzat e tjera, askush nuk i do në Indi.