Vajzat e reja në Rajasthan të Indisë po shiten si "shlyerje" të borxheve që prindërit e tyre nuk mund t’i përballojnë, ka thënë organi kombëtar që mbron të drejtat e njeriut.
Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut ka lëshuar një njoftim për qeverinë e shtetit duke kërkuar një hetim policor dhe përgjigje brenda një muaji për atë që e quajti një praktikë "të neveritshme", raportoi të shtunën The Guardian.
Njerëzit që jetojnë në shumë zona rurale në Indi shpesh duhet të marrin hua nga bashkëfshatarët kur një anëtar i familjes sëmuret rëndë dhe ka nevojë për trajtim mjekësor.
Raportet e mediave lokale thonë se në shumë distrikte rreth Bhilwaras, nëse një familje nuk mund të shlyejë një hua, kreditori i dëmtuar është ankuar te këshillet e kastës.
Për ta zgjidhur mosmarrëveshjen, këshilli i kastës ka urdhëruar familjen që ta dorëzojë vajzën e saj – ndonjëherë më shumë se një varësisht nga madhësia e borxhit – ashtu që huadhënësit mund ta shesë atë te një trafikant për të rimarrë paratë e tij.
Në njoftimin e tij, komisioni tha se nëse familja refuzon ta shesë vajzën e saj, “nënat e tyre janë subjekt i përdhunimit sipas urdhrave të këshillit të kastës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Edhe
Shitja e fëmijëve për të mbijetuar: Afganët detyrohen të marrin vendime të vështira
Në mesin e rasteve të theksuara nga komisioni, është ai i një burri që mori borxh 1.5 milionë rupi nga një fqinj i cili u detyrua nga këshilli që ta shesë motrën e tij dhe vajzën 12-vjeçare për ta shlyer borxhin.
Në një rast tjetër, një burrë mori borxh 600,000 rupi kur gruaja e tij u sëmurë dhe kishte nevojë të shtrihej në spital për çka nuk kishte para. Këshilli e detyroi atë t’ia dorëzonte vajzën e tij huadhënësit, i cili më vonë e shiti te një trafikues në Agra. Që nga aty, “ajo u shit tri herë dhe mbeti shtatzënë katër herë”, tha komisioni.
Komisioni ka dërguar një zyrtar në Rajasthan për të hetuar rastet. Këshillet e kastave shpesh janë forcë regresive në zonat rurale të Indisë. Ato kanë urdhëruar të ashtuquajturat vrasje nderi të çifteve që kanë sfiduar traditën duke u martuar në një kastë ose besim tjetër, ose për tradhti bashkëshortore.