Paweenuch ishte në gjumë të thellë dhe e mbuluar nga një batanije në dysheme kur sulmuesi shpërtheu nga dera e përparme dhe vrau 22 nga shokët e saj të klasës që shtriheshin përreth – me sa duket mendoi se ajo tashmë kishte vdekur, tha nëna Panomlai Srithong. Një tjetër fëmijë ka shpëtuar me plagë të rënda dhe ndodhet në spital
(AP) - Paweenuch Supholwong ulet në prehrin e nënës dhe prek me siklet bishtin e flokëve ndërsa nëna i tregon historinë e jashtëzakonshme sesi 3-vjeçarja mbijetoi vrasjen më të rëndë masive në Tajlandë – fëmija i vetëm që doli i paprekur nga një çerdhe. Oficeri i policisë masakroi parashkollorët ndërsa ata po flinin.
Një numër i madh fëmijësh ishin mes 36 personave që u qëlluan dhe u vranë në një sulm që p[rishi paqen e qetësinë e qytezës rurale Uthai Sawan, duke tronditur komunitetin e vogël bujqësor sa hap e mbyll sytë.
Paweenuch ishte në gjumë të thellë dhe e mbuluar nga një batanije në dysheme kur sulmuesi shpërtheu nga dera e përparme dhe vrau 22 nga shokët e saj të klasës që shtriheshin përreth – me sa duket mendoi se ajo tashmë kishte vdekur, tha nëna Panomlai Srithong. Një tjetër fëmijë ka shpëtuar me plagë të rënda dhe ndodhet në spital.
Mobilizimi i komunitetit
Ndërsa komuniteti është mbledhur për të ndarë pikëllimin në skenën e sulmit dhe tempujt e tij budistë, njerëzit janë dyndur gjithashtu te Paweenuchi, duke lidhur dhjetëra “fije shpirti” të bardhë, të verdhë dhe të kuq në kyçet e dorës me shpresën se do ta ndihmojë ta mbijetojë edhe shpirtërisht tmerrin, me besimin se kur dikush pëson një tragjedi të tillë, ai humbet një pjesë të shpirtit të tij.
“Është për të sjellë përsëri shpirtin në trupin e saj”, shpjegoi Panomlai, duke mbajtur ngrohtë vajzën e saj. “Është sikur shpirti të ishte larguar nga trupi dhe po thirret përsëri”.
6.500 njerëzit e Uthai Sawan janë të shpërndarë në një duzinë fshatrash, duke jetuar në shtëpi të shpërndara midis fushave me kallam sheqeri dhe orizoreve që shumë prej tyre kultivojnë. Qyteti në verilindje të Tajlandës u emërua për dy komunitete më të vogla të bashkuara në mënyrë administrative, me Uthai që do të thotë "dielli në rritje" dhe Sawan që do të thotë "parajsë" ose “lumturi” në sanskritisht.
Nëntëdhjetë e dy nga fëmijët e moshës parashkollore të qytetit shkonin në qendrën publike të kujdesit ditor, e cila është ngjitur me zyrat administrative të qeverisë dhe përballë një fushe me kallam sheqeri.
Qyteti ka rreth 100 fëmijë të tjerë të moshës parashkollore që ose shkojnë në qendra të kujdesit privat ose qëndrojnë në shtëpi, tha Nanticha Panchom, mësuesja që drejton kujdesin ditor.
E kaluara problematike e vrasësit
Nanticha, 43 vjeç, ishte në kuzhinën e qendrës duke gatuar drekën e fëmijëve kur dëgjoi të shtënat e para nga jashtë – policia thotë se ishte sulmuesi që qëlloi një burrë dhe një fëmijë përpara ndërtesës. Ajo dëgjoi dikë tjetër që bërtiste që të kyçte derën e përparme dhe ajo vrapoi jashtë për të kërkuar ndihmë.
“Kurrë nuk e kisha menduar se ai do të hynte brenda”, tha ajo ndërsa shikonte nëpër rrugë drejt ndërtesës njëkatëshe të stolisur tani me lule dhe shenja tjera homazhi për të vrarët.
Ajo pyeti veten në mënyrë të zymtë nëse ndonjë fëmijë do të kthehej ndonjëherë në çerdhe dhe çfarë do të thotë vrasja e të tjerëve për qytetin me rreth 1.900 familje.
“Unë as nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të thotë ky brez i humbur për këtë komunitet”, tha Nanticha.
Policia e identifikoi autorin si Panya Kamrap, 34 vjeç, një ish rreshter policie i pushuar nga puna në fillim të këtij viti për shkak të një akuze droge që përfshin metamfetaminën. Pasi la çerdhen, ai vrau të tjerë gjatë rrugës, dhe më pas gruan, fëmijën dhe veten në shtëpi, tha policia. Një motiv i saktë nuk është përcaktuar, por ai do të dilte në gjykatë të nesërmen për t’u përgjigjur për akuzën e drogës.
Ashtu si shumë nga zona, Tawatchi Wichaiwong erdhi te vendi i krimit të shtunën nga një fshat fqinj me gruan, kunatën dhe tre nipërit e rinj për të vendosur lule në memorial jashtë çerdhes.
