Botë

Ushtria indiane njofton për sulme të Pakistanit në kufirin perëndimor

India-Pakistani

Foto: Associated Press

Forcat e Armatosura të Pakistanit kanë kryer “sulme të shumta” duke përdorur dronë dhe municione të tjera përgjatë kufirit perëndimor të Indisë në mbrëmjen e së enjtes dhe orët e hershme të së premtes, ka njoftuar ushtria e Indisë, teksa konflikti ndërmjet dy fuqive nukleare veçse është intensifikuar.

Sulmet mes tyre janë shpeshtuar kur India goditi disa zona në Pakistan të mërkurën, të cilat i cilësoi si “kampe terroriste”. Këto veprime ushtarake u cilësuan si hakmarrje për një sulm vdekjeprurës ndaj turistëve hindus në Kashmirin e administruar nga India muajin e kaluar, transmeton Reuters.

Zyrtarët e lartë pakistanezë kanë mohuar të kenë lidhje me sulmin, por që atëherë të dy vendet kanë shkëmbyer zjarr dhe bombardime përtej kufirit, si dhe kanë dërguar dronë e raketa në hapësirat ajrore të njëra-tjetrës, duke lënë të vrarë dhjetëra persona. 

Luftimet janë më vdekjeprurëset që nga konflikti i kufizuar në mes dy vendeve në rajonin Kargil të Kashmirit në vitin 1999. Sulmet e Indisë në qytetet e provincave të brendshme të Pakistanit ndodhën për herë të parë që nga lufta e plotë mes tyre në vitin 1971.

Ushtria indiane ka bërë të ditur se trupat pakistaneze kishin kryer “shumë shkelje të armëpushimit”, përgjatë kufirit de facto në rajonin e Kashmirit, i cili është i ndarë midis tyre, por që të dyja vendet e pretendojnë tërësisht.