Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka bërë thirrje për qasje të papenguar humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës, ku 50 për qind e popullsisë është nën moshën 18 vjeç.
UNICEF-i ka denoncuar numrin në rritje të viktimave në Gaza, ku zyrtarët thonë se bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 2 mijë të mitur.
Duke raportuar se 2.360 fëmijë janë vrarë në më pak se tri javë, UNICEF bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe qasje të qëndrueshme dhe të papenguar për ndihmën humanitare.
“5.364 fëmijë të tjerë në Gaza janë plagosur në sulmet e pandalshme”, ka shtuar UNICEF të martën.
Më shumë se 400 fëmijë raportohet se vriten ose plagosen çdo ditë në enklavën e rrethuar palestineze.
Edhe
UNICEF: Rripi i Gazës, vendi më i rrezikshëm në botë për fëmijët
Më 7 tetor, grupi palestinez Hamas filloi sulme të befasishme ndaj Izraelit, ku u vranë më shumë se 1400 njerëz. Ushtria izraelite që atëherë ka bombarduar pamëshirshëm Gazën, duke vrarë të paktën 5.791 njerëz. Fëmijët përbëjnë afërsisht 50 për qind të popullsisë së Gazës prej rreth 2.3 milionë banorësh.
“Situata në Rripin e Gazës është njollë që po rritet në ndërgjegjen tonë kolektive. Shkalla e vdekjeve dhe lëndimeve të fëmijëve është thjesht tronditëse”, ka theksuar Adele Khodr, drejtoreshë rajonale e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. “Edhe më i frikshëm është fakti se nëse nuk zvogëlohen tensionet dhe nëse nuk lejohet ndihma humanitare, përfshirë ushqimin, ujin, furnizimet mjekësore dhe karburantin, numri ditor i vdekjeve do të vazhdojë të rritet”.
Pothuajse çdo fëmijë në Rripin e Gazës është ekspozuar ndaj ngjarjeve dhe traumave thellësisht shqetësuese.
Bregu Perëndimor ka parë gjithashtu një rritje alarmante në viktima, bëri të ditur agjencia. Njëzet e tetë fëmijë janë vrarë dhe të paktën 160 raportohet se kanë pësuar lëndime.
UNICEF ka njoftuar se 30 fëmijë u raportuan të jenë vrarë në sulmin e fundit në Izrael, ndërsa dhjetëra prej tyre janë ende në robëri brenda Gazës, pasi Hamasi mori peng rreth 220 njerëz.
“Vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve, rrëmbimi i fëmijëve, sulmet në spitale dhe shkolla, dhe mohimi i qasjes humanitare përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të fëmijëve”, ka thënë Khodr. “UNICEF-i u bën thirrje urgjentisht të gjitha palëve që të bien dakord për një armëpushim, ta lejojnë qasjen humanitare dhe t’i lirojnë të gjitha pengjet. Edhe luftërat kanë rregulla. Civilët duhet të mbrohen, veçanërisht fëmijët, dhe duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për t’i mbrojtur ata në të gjitha rrethanat”.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, i përsëriti gjithashtu thirrjet për një armëpushim të martën duke thënë se e drejta ndërkombëtare po shkelet në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Edhe
Shkon në mbi 30 numri i të vrarëve nga sulmet e fundit izraelite në Gazë
Ai ka thënë se palestinezët i janë nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet, porse ankesat palestineze nuk e justifikojnë sulmin e Hamasit.
“Në të njëjtën kohë, ato sulme të tmerrshme nga Hamasi nuk mund ta justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”, ka sqaruar ai.
Me traumën e vazhdueshme të luftës dhe okupimit, katër nga pesë fëmijë në Gaza jetojnë me depresion, pikëllim dhe frikë, sipas një raporti të vitit 2022 nga “Save the Children”. Më shumë se gjysma e tyre luftojnë me mendimet për vetëvrasje dhe traumat e dëshmitarëve të vdekjeve të fëmijëve të tjerë.
Javën e kaluar, një OJQ palestineze ka njoftuar se një fëmijë në Gaza vritet çdo 15 minuta nga bombardimet e vazhdueshme të Izraelit.
“Ne jemi dëshmitarë të një gjenocidi në kohë reale”, ka theksuar një zëdhënës i Mbrojtjes për Fëmijët Ndërkombëtarë në Palestinë (DCIP).
Në mes të luftës, arsimi është lënë pezull dhe shkollat po përdoren për të strehuar njerëzit e zhvendosur. Shkollat dhe spitalet gjithashtu kanë pësuar dëme nga sulmet ajrore të vazhdueshme.
Edhe
Dy vjet lufte të Izraelit vranë një fëmijë çdo 52 minuta në Gazë
Izraeli ka bllokuar Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit, duke penguar kalimin e ushqimit, karburantit dhe ndihmave të rregullta. Javën e fundit, dhjetëra kamionë që transportonin ndihma janë lejuar të hyjnë përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin, por OJQ-të thonë se furnizimet nuk janë të mjaftueshme.
Përktheu: Blerta Haxhiu