Pushtimi i Bakhmutit jo vetëm që do t'u jepte ushtarëve rusë fitore të rrallë në fushën e betejës pas disa muajsh rezistencë ukrainase, por mund të prishte linjat e furnizimit të Ukrainës dhe të lejonte forcat e Kremlinit të shtyjnë drejt bastioneve të tjera ukrainase në rajonin lindor të Donetskut.
Presioni është shtuar mbi ushtrinë ukrainase dhe civilët që kanë mbetur në Bakhmut, teksa forcat e Kievit kanë bërë përpjekje që të ndihmojnë banorët të ikin. Analistët perëndimor kanë thënë se këto mund të jenë përgatitje për tërheqjen ukrainase nga qyteti lindor, të cilin në muajt e fundit rusët kanë bërë përpjekje për ta pushtuar.
Një grua është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga bombardimet teksa po tentonin të kalonin urën për të ikur nga Bakhmuti, ka njoftuar ushtria ukrainase të shtunën.
Një përfaqësues i ushtrisë ukrainase, i cili kërkoi të mos identifikohej për arsye operacionale, ka thënë se tani ishte shumë e rrezikshme që civilët me automjete të largoheshin nga qyteti në provincën Donetsk dhe se njerëzit duhej të iknin në këmbë.
Bakhmuti ka qenë për muaj të tërë objektivi kryesor i ofensivës lindore të Moskës, me trupat ruse, duke përfshirë forca të mëdha nga grupi privat Wagner, duke iu afruar gjithnjë e më shumë bastionit lindor të Kievit.
Forcat ukrainase kanë krijuar një urë të përkohshme për të ndihmuar disa banorë të mbetur të qytetit të arrijnë në fshatin e afërt të Khromove.
Njësitë ukrainase gjatë 36 orëve të fundit shkatërruan dy ura kyçe në periferi të Bakhmutit, duke përfshirë një që e lidh atë me qytetin e afërt të Chasiv Yar përgjatë rrugës së fundit të mbetur të furnizimit ukrainas, kanë njoftuar zyrtarët e inteligjencës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar dhe analistët perëndimorë.
Shkatërrimi i urave
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimet e saj të fundit të rregullta në Twitter ka njoftuar se shkatërrimi i urave është bërë pasi luftëtarët rusë depërtuan më tej në periferitë veriore të Bakhmutit, duke rritur presionin mbi mbrojtësit e saj ukrainas.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW), me bazë në Washington, të premten ka vlerësuar se veprimet e Kievit mund të tregojnë për tërheqje të Ukrainës nga pjesë të qytetit. Instituti ka thënë se trupat ukrainase mund të “kryejnë tërheqje të kufizuar dhe të kontrolluar nga pjesë veçanërisht të vështira të Bakhmutit lindor”, duke kërkuar të pengojnë lëvizjen ruse atje dhe të kufizojnë rrugët e daljes në perëndim.
Pushtimi i Bakhmutit jo vetëm që do t'u jepte ushtarëve rusë fitore të rrallë në fushën e betejës pas disa muajsh rezistencë ukrainase, por mund të prishte linjat e furnizimit të Ukrainës dhe të lejonte forcat e Kremlinit të shtyjnë drejt bastioneve të tjera ukrainase në rajonin lindor të Donetskut.
Teksa luftimet kanë vazhduar, civilët që mbetën në zonën e Bakhmutit kanë folur për frikën e tyre të përditshme. Banori i Bakhmut Hennadiy Mazepa dhe gruaja e tij Natalia Ishkova zgjodhën të qëndronin në Bakhmut, edhe pse betejat e ashpra e kanë kthyer qytetin në rrënoja. Ishkova ka thënë se vuanin nga mungesa e ushqimit dhe e shërbimeve elementare.
“Ndihma humanitare na jepet vetëm një herë në muaj. Nuk ka rrymë, ujë, gaz”, ka thënë ajo. “I lutem Zotit që të gjithë ata që mbeten këtu të mbijetojnë”, ka shtuar Ishkova.
Në Kombet e Bashkuara të premten, zëvendësi Farhan Haq ka thënë se stafi humanitar i OKB-së raportoi “luftime të mëdha” pranë Bakhmutit dhe ka deklaruar se partnerët e paktë humanitar të organizatës në terren po fokusohen në evakuimin e njerëzve më të cenueshëm nga zona e konfliktit.
Inspektimet ruse
Ndërkaq, shefi i mbrojtjes së Rusisë udhëtoi në lindje të Ukrainës për të inspektuar trupat dhe për t'i dhënë dekorata shtetërore, ka njoftuar Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka vizituar një post komandë të forcave lindore të Rusisë, ku u informua nga komandanti rajonal Rustam Muradov, sipas një video të publikuar nga ministria. Videoja nuk zbuloi vendndodhjen e postit komandues.
Ndërkaq, shërbimet e urgjencës të Ukrainës raportuan të shtunën në mëngjes se numri i të vdekurve nga një sulm raketor rus të enjten që goditi një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe në Ukrainën jugore është rritur në 11.
Drejtoria kryesore e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës ka njoftuar se ekipet e shpëtimit kishin nxjerrë nga rrënojat tre trupa të tjerë, rreth 36 orë pasi një raketë ruse shpërtheu katër kate të ndërtesës në qytetin buzë lumit të Zaporizhzhias. Drejtoria ka bërë të ditur se një fëmijë ishte në mesin e të vrarëve dhe se përpjekjet e shpëtimit ishin në vazhdim.
Granatimet ruse të shtunën vranë gjithashtu dy banorë të komuniteteve të vijës së parë në rajonin përreth Zaporizhzhias, ka njoftuar administrata ushtarake lokale në një postim në Telegram.
Një grua 57-vjeçare dhe një burrë 68-vjeçar vdiqën gjithashtu në Nikopol, qytet më në perëndim me termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia-s, ndërsa forcat ruse të stacionuara atje qëlluan me predha artilerie dhe raketa në territorin e kontrolluar nga ukrainasit përtej lumit Dnieper.
Në qytetin perëndimor të Lvivit, qindra kilometra larg vijës së frontit të luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua të shtunën me kreun e parlamentit të Bashkimit Evropian. Disa orë më parë, Zelenskyy zhvilloi bisedime me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Merrick Garland dhe zyrtarë të lartë ligjorë evropianë se si të mbanin Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë.
Në një konferencë të përbashkët për media, presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ka thënë se “të gjithë ata që janë përgjegjës” për krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, duhet të sillen para drejtësisë përpara se të arrihet paqja e qëndrueshme.
Metsola shprehu mbështetjen për njoftimin e BE-së të enjten se një qendër ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimit të agresionit - akti i pushtimit të një vendi tjetër - do të ngrihej në Hagë për të hetuar pushtimin e Rusisë.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që Ukraina të nisë negociatat për t'u bashkuar me bllokun 27-vendesh që në fillim të këtij viti dhe u kërkoi vendeve perëndimore të vazhdojnë të armatosin ushtrinë e vendit ndërsa ajo përpiqet të mbajë forcat ruse në gji në lindje dhe në jug.
“E ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian. Ne do të ecim deri në fund me ju”, ka thënë Metsola në Twitter të premten vonë.
BE-ja ka rënë dakord që në qershor të vë Ukrainën në një rrugë drejt anëtarësimit, duke vënë në lëvizje procesin që mund të zgjasë vite apo edhe dekada. Megjithatë, pushtimi i Moskës dhe kërkesa e Ukrainës për shqyrtim të shpejtë i kanë dhënë urgjencë negociatave.
Përgatiti: Gent Mehmeti