Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina synon ta rimarrë gjithë territorin, kërkon përshpejtim të dërgesës së armëve nga Perëndimi

Ukraina ka thënë se të martën se ka për qëllim të çlirojë të gjithë territorin e saj, pasi ka zmbrapsur forcat ruse në verilindje të vendit në një ofensivë të shpejtë.

Por i ka bërë thirrje Perëndimit t’i përshpejtojë dërgesat e sistemeve të armëve për të mbështetur avancimin, shkruan CNN-i të martën.

Që kur Moska braktisi bastionin e saj kryesor në Ukrainën verilindore, të shtunën, duke shënuar humbjen e saj më të rëndë që nga ditët e para të luftës, trupat ukrainase kanë rimarrë dhjetëra qytete dhe këtë e kanë quajtur “ndryshim mahnitës në fushëbetejë”.

Luftimet janë ende aktive në rajonin verilindor të Kharkivit, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, duke shtuar se forcat ukrainase po bëjnë përparim të mirë, sepse janë shumë të motivuara dhe operacioni është i planifikuar mirë.

“Qëllimi është të çlirohet rajoni i Kharkivit dhe më gjerë, të gjitha territoret e pushtuara nga Federata Ruse”, tha ajo.

Edhe Putini i bindur se Rusia do t’i arrijë objektivat ushtarake në Ukrainë Botë Putini i bindur se Rusia do t’i arrijë objektivat ushtarake në Ukrainë

Në një fjalim të bërë të hënën vonë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Perëndimi duhet të përshpejtojë me dërgesat e sistemeve të armëve, duke u bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që të “forcojnë bashkëpunimin për të mposhtur terrorin rus”.

Që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt, Washingtoni dhe aleatët e tij i kanë ofruar Ukrainës miliarda dollarë armë që Kievi thotë se kanë ndihmuar në kufizimin e përfitimeve të Moskës. Forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e vendit në jug dhe lindje, por Ukraina tani është në ofensivë në të dyja zonat.