Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina sheh sinjale pozitive nga bisedimet me Rusinë

Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e 34-t. Mijëra civilë, në mesin e tyre shumë fëmijë, janë vrarë deri tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse në shumë qytete

22:54 - Rreth 5000 ukrainas dyshohet se janë vrarë në Mariupol nga fillimi i luftës

Rreth 5000 civilë ukrainas, duke përfshirë edhe rreth 210 fëmijë mund të kenë vdekur në Mariupol, që kur Rusia filloi sulmin në qytetin port të Ukrainës, ka njoftuar zyra e kryebashkiakut Vadym Boichenko.

Sipas njoftimit të kësaj zyre, 90 për qind e ndërtesave në Mariupol janë dëmtuar dhe 40 për qind janë shkatërruar, duke përfshirë spitale, shkolla, kopshte dhe fabrika. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Image

22:53 - Zelensky sheh sinjale pozitive nga bisedimet me Rusinë

Image

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se ka sinjale pozitive pas rundit të fundit të bisedimeve me Rusinë. Megjithatë ka thënë se vetëm rezultate konkrete nga bisedimet mund të jenë të besueshme.

Rusia njoftoi se do të tërheqë në shkallë të madhe ushtrinë nga afërsia e kryeqytetit të Ukrainës, si pjesë e rrugëdaljes drejt fundit të luftës. Kjo megjithatë ka hasur në skepticizëm nga shtetet perëndimore.

Në një video të publikuar të martën në mbrëmje, Zelensky ka thënë se “megjithatë, sinjalet pozitive nuk i kanë ndalur bombardimet ruse”.

“Vetëm rezultatet konkrete nga bisedimet do të mund të jenë të besueshme”, ka shtuar ai.


22:08 - Pentagoni: Lëvizja e trupave ruse pranë Kievit është ripozicionim, jo tërheqje

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se tërheqja e trupave ruse rreth Kievit dhe Chernihivit është vetëm një ripozicionim dhe jo tërheqje e vërtetë.

Sipas Pentagonit, edhe pse një numër i vogël i trupave ruse janë larguar nga Kievi gjatë ditëve të fundit, Rusia edhe me kapacitetet që ka atje mund të shkaktojë brutalitet masiv në këtë vend. Lajmin e plotë, lexojeni KËTU.


20:30 - Shkon në 12 numri i të vdekurve nga sulmi rus në Mykolaiv

Ka shkuar në 12 numri i personave të vdekur në sulmin rus të së martës në Mykolaiv të Ukrainës, kanë njoftuar Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës.

Përveç numrit të viktimave, edhe 33 persona janë regjistruar të lënduar nga ky sulm në zyrën e guvernatorit ushtarak të rajonit jugperëndimor të Ukrainës, raportoi CNN-i.

Ky numër i vdekjeve është rritur nga shifrat e raportuara gjatë ditës.

Guvernatori Vitali Kim ka njoftuar se sulmi rus ka shkatërruar gjysmën e ndërtesës. Lajmin e plotë, lexojeni KËTU.


19:50 - Bideni dhe kryeministri i Singaporit thonë se pushtimi i Ukrainës është kërcënim ndaj Kartës së OKB-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët të martën, ku ka thënë se pas takimit të mbajtur, të dyja vendet e pranojnë se kërcënimet ndaj Kartës së OKB-së dhe rendit kombëtar të bazuar në rregulla, duke përfshirë edhe luftën në Ukrainë, e vënë në rrezik kudo paqen dhe prosperitetin.

“Lufta në Ukrainë ka një ndikim negativ në rajonin Indo-Paqësor, i cili tashmë përballet me shumë sfida. Mundësitë dhe sfidat e shekullit të 21-të kërkojnë bashkëpunim më të thellë midis nesh”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve.

Më tej është theksuar angazhimi i tyre i palëkundur ndaj parimeve të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial, si dhe kanë dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i cili ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara.


19:25 - Franca: Asnjë mision humanitar në Mariupol s'është i mundur aktualisht

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe homologu i tij nga Rusia, Vladimir Putin, kanë diskutuar të martën nëpërmjet telefonit për situatën në Ukrainë.

“Macroni gjatë kësaj bisede ka folur edhe mbi një misioni humanitar për qytetin e rrethuar të Mariupolit me Putinin, mirëpo në këtë fazë nuk është e mundur”, ka thënë një zyrtar i presidencës franceze, raportoi CNN. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


19:11 - CNN-i: Trupat amerikane në Poloni po ofrojnë trajnime për armët e dërguara në Ukrainë

Trupat amerikane në Poloni janë duke iu ofruar ukrainasve disa udhëzime se si të përdorin armët dhe pajisjet që Perëndimi i ka dërguar në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar forcat ukrainase të ndalin sulmet ruse, kanë thënë disa burime për CNN-in.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë të hënën se këto forca amerikane "kanë ndihmuar në trajnimin e trupave ukrainase në Poloni”. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


16:48 - Ukraina ftohet në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s javën e ardhshme

Ukraina dhe disa vende të tjerë jo-anëtare të NATO-s janë ftuar të marrin pjesë në një takim dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s që do të mbahet gjatë javës së ardhshme, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Aleanca.

“Ministrat e Jashtëm të Australisë, Finlandës, Gjeorgjisë, Japonisë, Republikës së Koresë, Zelandës së Re, Suedisë dhe Ukrainës, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme do të marrin pjesë në takimin e 7 prillit”, thuhet në deklaratën e NATO-s, raportoi CNN. Lajmin e plotë, lexojeni KËTU.


15:50 - Nëntë të vrarë dhe 22 të plagosur nga bombardimi në Mykolaiv

Të paktën nëntë persona u vranë dhe 22 u plagosën në një sulm rus në zyrën e kryebashkiakut të qytetit të Mykolaivit të martën, është bërë e ditur në rrjetin Telegram nga zyra rajonale e këtij qyteti, raporton CNN-.

Sulmi rus shkatërroi gjysmën e ndërtesës, tha kryebashkiaku Vitalii Kim.

“Ata (rusët) goditën ndërtesën e administratës rajonale, rrënuan gjysmën e ndërtesës, goditen zyrën time. Shumica e njerëzve shpëtuan për mrekulli”, ka thënë ai. “Tetë civilë janë nën rrënoja, ne po i kërkojmë. 50-100 persona kanë dalë. Po kërkojmë edhe tre ushtarakë”.


15:21 - Turqia për bisedimet e fundit Ukrainë-Rusi: Më frytdhënëset deri tani

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka deklaruar se bisedimet Ukrainë-Rusi të zhvilluara të martën në Stamboll me ndërmjetësimin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, kanë qenë më frytdhënëser deri tash, që kur kanë nisur pak pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.

Cavusoglu ka thënë se Turqia mirëpret kompromisin e arritur midis dy shteteve dhe mirëkuptimin në çështje të caktuara, derisa ka ripërsëritur se lufta duhet të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur, raporton të martën BBC-ja.

Sipas tij, çështje më të vështira pritet të diskutohen ndërmjet ministrave të Jashtëm të dy shteteve në të ardhmen.


15:18 - Bideni thërret për bisedë liderët evropianë pas bisedimeve Ukrainë-Rusi

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të zhvillojë të martën një bisedë telefonike me aleatët evropianë, për të diskutuar për zhvillimet më të fundit lidhur me situatën në Ukrainë, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, raporton CNN.

Lexoni KËTU lajmin e plotë.

15:00 - Pala ukrainase kërkon nga ajo ruse organizimin e një takimi Zelensky-Putin

Negociatorët ukrainas në bisedimet me Rusinë të martën në Stamboll, kanë deklaruar se kanë kërkuar nga pala ruse organizimin e një takimi mes presidentëve të dy vendeve, raporton BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

14:44 - Rusia dëshiron negociata për marrëveshje përfundimtare

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin, ka deklaruar se vendimi për t’i reduktuar aktivitetet ushtarake në mënyrë drastike në dy qytete ukrainase, Kiev dhe Chernihiv, është bërë për ta rritur besimin e ndërsjellë.

Duke folur pas përfundimit të takimit mes palës ruse e asaj ukrainase, të martën në Stamboll, Fomin ka thënë po ashtu se kjo do të bëhej për të çuar drejt negociatave të mëtejshme dhe arritjen e qëllimit përfundimtar, raporton BBC-ja.

“Vendimi për të ulur rrënjësisht aktivitetin ushtarak të Rusisë në dy qytete u mor me qëllim që të rritet besimi i ndërsjellë, të ndihmohet për të çuar në negociata të mëtejshme dhe arritjen e qëllimit përfundimtar për një marrëveshje të nënshkruar midis dy palëve”, ka thënë Fomin.

Këto bisedime i ka ndërmjetësuar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili në fillim të takimit u ka thënë palëve se dëshiron rezultate konkrete. 

Image

14:28 - Rusia do t’i reduktojë aktivitetet ushtarake në Kiev dhe Chernihiv

Rusia ka vendosur ta reduktojë aktivitetin e saj ushtarak të fokusuar në Kiev dhe Chernihiv, ka thënë të martën zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin, raportoi BBC-ja.

Kjo deklaratë vjen pak orë pas përfundimit të takimit mes delegacioneve ruse e ukrainase në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Deklaratat ruse mbi perspektivën e një armëpushimi dhe bisedimet "e suksesshme të paqes" janë pritur me rezervë nga udhëheqësit në Perëndim, të cilët kanë thënë se ato duhet të përputhen me një ulje të dukshme të përshkallëzimit në terren.

Pala ukrainase ka bërë të ditur të martën pas takimit, se është diskutuar për një sistem të garantimit të sigurisë, e cila parasheh neutralitetin ushtarak të Ukrainës. Ndërkohë neutralitetin është propozuar ta garantojnë tri shtete: Turqia, Polonia dhe Kanadaja.


14:06 - Në Stamboll u diskutua neutraliteti ushtarak i Ukrainës, tri shtete garantuese

Rundi i bisedimeve Ukrainë-Rusi, i zhvilluar të martën në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përfunduar pak pas orës 13:00.

Negociatorët ukrainas kanë deklaruar se është diskutuar “një sistem i garancisë së sigurisë”, i cili do të përfshinte masat si mosprania e bazave të ushtrive të huaja në Ukrainë, raporton Sky News.

Sipas negociatorëve, shtetet si Turqia, Polonia dhe Kanadaja janë parë si shtete garantuese në këtë proces.

Negociatorët kanë thënë po ashtu se një referendum ka të ngjarë të mbahet për çdo kusht që vë Rusia dhe se Ukraina do të dëshironte marrëveshje të plotë paqeje.

Ukraina do të pranonte statusin neutral nëse propozimet e saj pranohen nga Rusia, kanë shtuar ata.

Ndërkohë, Rusia i përshkroi bisedimet si "konstruktive" dhe se rezultati do t'i raportohej fillimisht presidentit, Vladimir Putin.


13:46 - Tre të vdekur nga sulmi me raketë mbi ndërtesën qeveritare në Mykolaiv

Tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmit rus me raketa në zyrat rajonale të qytetit Mykolaiv, të martën, ka bërë të ditur shërbimi emergjent i shtetit, raportoi Sky News.

Në një postim në rrjetet sociale, ky shërbim ka bërë të ditur se 18 persona kanë arritur të shpëtojnë nga rrënojat si pasojë e sulmeve në qytetin port në jug të Ukrainës.

Sipas disa pretendimeve, sulmi kishte cak kryebashkiakun e Mykolaivit, Vitaliy Kim, i cili nuk ishte në ndërtesë në momentin e sulmit.

Image
Ndërtesa qeveritare në Mykolaiv pas sulmit nga raketa ruse

13:26 - Negociatat Rusi-Ukrainë në Stamboll përfundojnë, rezultati bëhet i ditur më vonë

Takimi mes negociatorëve rusë dhe ukrainas ka përfunduar para pak çastesh, ka bërë të ditur shteti ndërmjetësues, Turqia, të martën, raporton Sky News.

Ekipet ishin mbledhur në Stamboll për të provuar të bien dakord për një armëpushim dhe një fund të konfliktit në Ukrainë, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili në fillim të takimit kërkoi rezultate konkrete.

Roman Abramovich ishte i pranishëm në bisedime, por jo zyrtarisht pjesë e ekipit negociator rus.

Rezultati i këtij rundi bisedimesh pritet të bëhet i ditur pak më vonë gjatë ditës, kanë njoftuar mediat e huaja.

Image
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan duke mbajtur fjalim para ekipeve negociatore në fillim ta takimit/Foto: AP

13:09 - Kremlini mohon se ka gisht në helmimin e Abramovichit

Kremlini e ka mohuar se ka helmuar pronarin e Chelseat, Roman Abramovich, i cili ka qenë pjesë e bisedimeve Ukrainë-Rusi, në cilësinë e bashkëpunëtorit të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se deklaratat se Abramovichi është helmuar nga shteti rus, janë pjesë e një “lufte informimi”, ka raportuar BBC-ja.

Peskov ka shtuar se Abramovichi nuk është anëtar zyrtar i ekipit negociator rus, në bisedimet që po zhvillohen në Stamboll.

Media të ndryshme kanë raportuar të martën, se Abramovichi është parë në Stamboll.

Këto bisedime po zhvillohen me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan

12:55 -  “Anonymous” zbulon planet ruse për video të rreme

Hakerët e grupit “Anonymous” kanë publikuar skanimin e një urdhri të ministrit rus të Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov, përmes së cilit kërkohet të bëhen gati video të rreme lidhur me luftën në Ukrainë, raporton “Ukraine Now” të martën në rrjeti social Telegram.

Lajmin e plotë mund ta shihni KËTU

11:50 - Shkatërrohet ndërtesa qeveritare në Mykolaiv

Një ndërtesë qeveritare në qytetin jugor të Mykolaivit është shkatërruar, si pasojë e sulmeve me raketa mëngjesin e së martës, thuhet në një postim në Telegram të guvernatorit Vitaliy Kim.

Ndërkohë, gazetari ukrainas, Oleh Novikov ka shpërndarë një fotografi të ndërtesës së shkatërruar.

Qyteti ka qenë cak i sulmeve ruse për javë të tëra, që kur ka nisur pushtimi i Ukrainës, më 24 shkurt.

Një numër i madh ndërtesash në këtë qytet janë shkatërruar si pasojë e bombardimeve me artileri të rëndë.

Image

11:47 - Qytetarët e Kharkivit pastrojnë rrugët pas bombardimeve

Qyteti i Kharkivit njihej si një nga qytetet më të pastra në Ukrainë. Mirëpo bombardimet ruse të cilat kanë shkatërruar shumë ndërtesa në qytet, kanë krijuar shumë gërmadha e papastërti.

Megjithëse në gjendje lufte, kjo ka bërë që qytetarët e Kharkivit të dalin të martën në rrugë, për të pastruar vendin e tyre nga rrënojat, raporton “Ukraine Now” në Telegram.

Kharkivi është një nga qytetet që është bombarduar më së shumti deri më tash.

Qyteti ndodhet në perëndim të Ukrainës.

Image

10:14 - Abramovichi pjesëmarrës në bisedimet Ukrainë-Rusi në Stamboll

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është parë të martën në sallën ku po zhvillohen bisedimet e reja mes Ukrainës e Rusisë, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në Stamboll.

Miliarderi, i cili është një nga oligarkët rusë të sanksionuar nga Perëndimi për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, është parë me delegacionet e të dy shteteve.

Kremlini ka deklaruar se Abramovichi ka luajtur një rol në bisedimet e paqes mirëpo procesi tani është në duart e dy ekipeve negociatore.

Prania e tij në rundin e ri të bisedimeve vjen një ditë pasi Wall Street Journal kishte shkruar se Abramovichi dhe negociatorët ukrainas janë helmuar gjatë bisedimeve në fillim të këtij muaji.

Image

10:09 - Rusia lëshon pe, pranon anëtarësimin e Ukrainës në BE nëse heq dorë nga NATO-ja

Derisa ka nisur rundi i ri i bisedimeve Ukrainë-Rusi me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan të martën në Stamboll, raporte të reja thonë se Rusia po zvogëlon synimet e saj dhe se është e gatshme të bëjë dy lëshime të mëdha, shkruan të martën “The Financial Times”.

Katër persona të informuar mbi bisedimet në vazhdim i kanë thënë gazetës se Kremlini ishte i gatshëm të lejojë Kievin të anëtarësohet në Bashkimin Evropian me kushtin që të braktisë përpjekjet për t'u anëtarësuar në NATO.

Po ashtu, thirrja që Ukraina të "denazifikohet" - që kuptohet gjerësisht si kod për ndryshimin e regjimit në Kiev, është hequr nga “fjalori zyrtar” i Rusisë si pjesë e negociatave të armëpushimit, kanë thënë të njëjtat burime.

Tashmë janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në kufirin me Bjellorusinë si dhe në Turqi, por ende nuk ka asnjë marrëveshje për armëpushim të paktën.

09:54 - Erdogan: Paqja s’do të ketë humbës

Në Stamboll kanë nisur bisedimet e reja mes palës ukrainase dhe asaj ruse, me ndërmjetësimin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në hapje të bisedimeve, të martën në mëngjes, Erdogan ka thënë se paqja nuk do të ketë humbës dhe se vazhdimi i konfliktit nuk i sjell dobi askujt.

"Në një moment kaq kritik, ne jemi të kënaqur t'ju mirëpresim dhe të kontribuojmë në përpjekjet tuaja për të vendosur paqen. Uroj që takimet dhe diskutimet tona të jenë të favorshme për vendet tuaja, rajonin tonë dhe mbarë njerëzimin”, ka thënë Erdogan.

Ai ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se ndalimi i tragjedisë varet nga të dyja palët.

Image

09:18 - Erdogan hap takimin Ukrainë – Rusi: Bisedimet duhet të japin rezultate konkrete

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, janë “miq të vlefshëm” të tij.

Këtë deklaratë Erdogani e ka bërë të martën, në hapje të rundit të ri të bisedimeve Ukrainë – Rusi, që ka nisur në Stamboll. Lideri turk u ka thënë gjithashtu ekipeve ruse dhe ukrainase se të dyja palët kanë "shqetësime legjitime", por se është arritur një moment kur bisedimet duhet të japin "rezultate konkrete".

Ai ka thënë se përparimi në bisedime do të hapte rrugën për takimin e udhëheqësve dhe se Turqia mund t’i presë ata gjithashtu.


8:24 -  Rusia rivendos forcat e saj në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar vlerësimin e saj të përditshëm të luftimeve në Ukrainë, raportoi BBC-ja të martën.

Përmes një njoftimi ka thënë se forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme të lokalizuara në veriperëndim të Kievit, duke shtuar se ka pasur forca ruse që janë tërhequr nga një numër pozicionesh.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Image

08:14 - Ministri i Jashtëm ukrainas këshillon negociatorët që të mos hanë e pinë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka paralajmëruar zyrtarët të mos hanë ose pinë kur janë duke negociuar me Rusinë, raporton Sky News të martën.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU


07: 42 - Delegacioni ukrainas mbërrin në Turqi për bisedime

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në Stamboll për bisedimet e paqes me atë rus, ka raportuar të martën BBC-ja.

Delegacioni udhëhiqet nga ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov si dhe Mikhail Podolyak, kreu i zyrës së presidentit, Volodymyr Zelensky.

Delegacioni ukrainas ka thënë se synimi kryesor është sigurimi i një armëpushimi, megjithëse ka skepticizëm nëse kjo mund të ndodhë.

Bisedimet ballë për ballë, të parat në më shumë se dy javë, do të ndërmjetësohen nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Takimi është planifikuar të fillojë në orën 10:00 të martën, sipas kohës lokale.

Rusia po kërkon që Ukraina të braktisë çdo synim për t'u bashkuar me NATO-n - një çështje për të cilën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.

Çështje të tjera të mprehta që priten të diskutohen përfshijnë fatin e rajoneve të kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, si dhe statusin e Krimesë, e cila u aneksua nga Rusia në 2014.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.


07:37 - Zelensky: Rusët po largohen nga Kievi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën në mbrëmje se trupat e vendit po rifitojnë territorin përreth kryeqytetit dhe po i shtyjnë trupat ruse larg tij, raporton Sky News.

Zelensky gjithashtu ka njoftuar për "çlirimin" e Irpinit, një qytet kyç në skajin veriperëndimor të Kievit.

“Mbrojtësit tanë po përparojnë në rajonin e Kievit, duke rifituar kontrollin mbi territorin ukrainas”, ka thënë ai. "Irpin u çlirua. Bravo! U jam mirënjohës të gjithëve që punuan për këtë rezultat. Pushtuesit janë larguar nga Irpini. Të shtyrë nga Kievi. Megjithatë, është shumë herët të flasim për sigurinë në këtë pjesë të rajonit tonë. Luftimet vazhdojnë”.

Zelensky ka thënë se trupat ruse kontrollojnë veriun e Kievit dhe do të vazhdojnë sulmet e tyre edhe pse tashmë janë "qindra njësi të pajisjeve të armikut të djegura dhe të braktisura".

"Rajonet e Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Donbas, Ukraina jugore - situata kudo mbetet e tensionuar, shumë e vështirë”, ka deklaruar ai.

Zelensky ka thënë se Mariupoli, i konsideruar nga shumë njerëz si qyteti më i prekur, mbetet i rrethuar.

“Trupat ruse nuk lejuan që sot të organizohej asnjë korridor humanitar”, ka thënë ai.

Një zyrtar ka thënë se vetëm 586 persona ia dolën të ikin nga qyteti të hënën, derisa Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se nuk po i lejon njerëzit të evakuohen.

Image

07:32 - Rusia do të përdorë armë bërthamore vetëm nesë rrezikohet ekzistenca e saj

Rusia do të përdorë armë bërthamore vetëm nëse do të kishte një kërcënim për ekzistencën e vendit, dhe jo si rezultat i luftës së vazhdueshme në Ukrainë, ka thënë të hënën në një intervistë për PBS Newshour, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton CNN.

"Çdo rezultat i operacionit në Ukrainë, natyrisht, nuk është një arsye për përdorimin e një arme bërthamore. Ne kemi një koncept sigurie që thotë shumë qartë se vetëm kur ekziston një kërcënim për ekzistencën e shtetit, në vendin tonë, ne mund të përdorim dhe do të përdorim armët bërthamore për të eliminuar kërcënimin për ekzistencën e vendit tonë”, ka thënë Peskov.

Kur u pyet për komentet e presidentit amerikan Joe Biden që e quajti Vladimir Putinin një "kasap" dhe deklaroi se presidenti rus nuk duhet të mbetet më në pushtet, Peskov ka thënë se kjo është alarmante.

“Është fyerje personale. Sigurisht, është krejtësisht e papranueshme. Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të vendosë se kush do të jetë dhe kush është president i Federatës Ruse”, është shprehur ai.

Në një fjalim në Poloni të shtunën, Bideni bëri një koment të improvizuar duke thënë për homologun e tij rus se ai nuk duhet të qëndrojë më tutje në pushtet.

"Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet", ka deklaruar Bideni në Poloni.

SHBA-ja zyrtarisht deklaroi javën e kaluar se forcat ruse kishin kryer krime lufte në Ukrainë. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka nisur gjithashtu një hetim për pushtimin.

Image
Artikuj të ngjashëm