Botë

Ukraina propozon një rund të ri negociatash me Rusinë

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Kievi i ka propozuar Moskës një rund tjetër javën e ardhshme të bisedimeve për paqe, ka thënë të shtunën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Dy runde të bisedimeve në Stamboll mes Kievit dhe Moskës dështuan të sillnin ndonjë rezultat pozitiv drejt një armëpushimi.

“Negociatat duhet të përshpejtohen”, ka thënë ai.

Zelensky ka shprehur gatishmërinë e tij sërish që të zhvillojë një takim sy më sy me presidentin rus, Vladimir Putin, raportoi Guardian. 

“Një takim i nivelit të udhëheqësve është i nevojshëm që me të vërtetë të sigurohet paqja – paqe e qëndrueshme”, ka thënë ai.

Në takimet e muajit të kaluar, Rusia parashtroi një listë kërkesash, përfshirë thirrjen për Ukrainën që të lëshojë më shumë territor dhe të refuzojë të gjitha format e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi.

Kievi i hodhi poshtë ato duke i cilësuar të papranueshme dhe në atë kohë vuri në pikëpyetje negociatat e mëtejme.

Kremlini këtë muaj pati thënë se ishte gati të vazhdonte bisedimet pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë 50 ditë që të arrinte një marrëveshje paqeje ose do të përballej me sanksione.