Forcat ruse kanë kompletuar rigrupimin e trupave për të lansuar një ofensivë në lindje të Ukrainës, është thënë të hënën nga Ministria e Brendshme e Ukrainës, raporton CNN.
“Forcimi i grupeve ofensive po ndodh me transferimin e njësiteve shtesë ruse. Luftimet më intensive po ndodhin në Slobozhansky dhe në rajonin e Donetzkut”, ka thënë koloneli Oleksandr Motuzyanyk. “Rusia po përgatitet për një ofensivë në lindje të Ukrainës për të marrë nën kontroll të plotë territorin e Donetzkut dhe Luhanskut dhe për të siguruar stabilitetin e korridorit tokësor me Krimenë”.
Ai ka treguar se forcat ukrainase kanë rimarrë disa vendbanime nga forcat ruse përreth qytetit Izyum në rajonin e Kharkivit.
Zëdhënësi ka thënë se qyteti Izyum dhe zonat përreth janë vende ku është koncentrimi më i madh i forcave ruse.