Ukraina thotë se po e zgjeron me shpejtësi prodhimin e dronëve, ndërsa kërkesat për to po shtohen në vijën e frontit, raporton BBC.
Qeveria e Ukrainës ka zbutur ligjet për import dhe ka larguar taksat për pjesët e dronëve dhe pajisjet.
Zgjerimi i kësaj “armate të dronëve” është duke u financuar nga një fushatë e suksesshme e mbledhjes së fondeve e quajtur “Ushtria e Dronëve”.
Më tepër se 108 milionë dollarë janë mbledhur me ndihmën e përkrahësve të famshëm, përfshirë Mark Hamillin e Star Warsit.
Pos që po blihen e po ndërtohen dronë të rinj për luftë, paratë po shpenzohen edhe në stërvitjen e pilotëve të rinj në vijë të frontit.
BBC-ja ka shikuar nga afër në seancë stërvitore të grupit të fundit të pilotëve ukrainas të dronëve në një lokacion sekret në periferi të Kievit.
Dhjetëra skuadra të pilotëve fluturonin dronë të vegjël nëpër një fushë, duke kërkuar për shënjestra të bëra në fushë të paraqitura si shënjestra ushtarake.
Instruktori Slava shikon teknikën e tyre dhe tregon se si është më mirë të vepronet.
“Dronët janë sytë tanë, ne mund të shohim shumë mirë okupuesit nga lartë, kështu që mund të përshtatim artilerinë dhe të zbulojmë e neutralizojmë armikun”, tha Slava.
Ushtarët ukrainas dhe rusë po ashtu janë duke përdorur edhe dronë të lirë e të vegjël, që tradicionalisht përdoren për filma.
Droni më i shpeshtë në vijë të frontit është DJI mavic që kushton më pak se 2000 dollarë.
Vitin e kaluar, prodhuesi kinez ndaloi eksportet në Ukrainë dhe Rusi, duke insistuar se produktet e tij janë vetëm për përdorim civil.
Slava ka thënë se ndalimi e ka bërë më të vështirë për të blerë, por Ukraina prapë ka qenë në gjendje të importojë mijëra.
Organziatorët e “Ushtrisë së Dronëve”, thonë se kanë blerë apo ndërtuar 3300 dronë shtesë. Rreth 400 persona kanë dërguar dronët e tyre personal për në Ukrainë. Fushata nisi në korrik të vitit të kaluar.