Shtetet e Bashkuara premtuan të martën 2.6 miliardë dollarë më shumë ndihmë ushtarake për Qeverinë e Zelenskyt, duke përfshirë tre radarë të mbikëqyrjes ajrore, raketa antitank dhe kamionë me karburant, ndërsa forcat ukrainase përgatiten të kryejnë një kundërofensivë në lindje kundër forcave ruse, megjithëse nuk është bërë e ditur se kur saktësisht mund të nisë
(Reuters) - Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për pakon e re të armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake për Ukrainën, në kohën kur trupat ruse vazhduan me betejën e tyre të gjatë dhe të kushtueshme për të pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkohë të mërkurën ka vizituar Poloninë fqinje, aleate e ngushtë që ka pranuar miliona refugjatë ukrainas dhe ka siguruar armë jetike për Qeverinë e Kievit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shkuar në Kinë pasi ai dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ranë dakord se do të përpiqen të angazhojnë Pekinin në përshpejtimin e përfundimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, tashmë në vitin e dytë.
Shtetet e Bashkuara premtuan të martën 2.6 miliardë dollarë më shumë ndihmë ushtarake për Qeverinë e Zelenskyit, duke përfshirë tre radarë të mbikëqyrjes ajrore, raketa antitank dhe kamionë me karburant. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar tani më shumë se 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga pushtimi rus.
Ambasada e Moskës në Uashington akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të zvarritin konfliktin sa më shumë që të jetë e mundur, tha agjencia ruse e lajmeve TASS.
Edhe
Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë
Paketa e re e ndihmës së SHBA-së vjen ndërsa forcat ukrainase përgatiten të kryejnë një kundërofensivë në lindje kundër forcave ruse, megjithëse nuk është bërë e ditur se kur saktësisht mund të nisë.
Fokusi i fushëbetejës mbeti në Bakhmut, një qytet minierash dhe qendër transporti në buzë të një pjese të provincës së Donetskut kryesisht nën kontrollin rus. Të dyja palët kanë pësuar humbje të shumta dhe pjesa më e madhe e qytetit është rrënuar pas disa muajsh luftimesh në rrugë dhe bombardimesh.
Fati i Bakhmutit ishte i paqartë të mërkurën në mëngjes pasi forcat ruse thanë në fundjavë se kishin pushtuar qendrën e qytetit - një pretendim i hedhur poshtë nga Kievi.
Pranë qytetit Nju-York, 50 km në jug të Bakhmutit, ushtarët ukrainas në gropa me baltë përshkruanin zmbrapsjen e sulmeve ruse në baza ditore.
"Ata sulmojnë, gjuajnë dhe përpiqen të na lodhin. Më pas ata e vlerësojnë situatën", i tha Reutersit komandanti i njësisë së këmbësorisë, i cili dha nofkën e tij si "Bodia".
“Ndërkohë ne mundohemi t’i lëmë të na afrohen në mënyrë që t’i godasim më saktë”.
Komandantët ushtarakë ukrainas kanë theksuar rëndësinë e mbajtjes së Bakhmutit dhe qyteteve të tjera dhe shkaktimit të humbjeve përpara një kundërofensive të parashikuar.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha në një raport: "Në sektorin Bakhmut nuk pati asnjë ndërprerje në aksionet e armikut që synonin të sulmonin qytetin e Bakhmutit. Të paktën 20 sulme të armikut u zmbrapsën vetëm këtu gjatë 24 orëve të fundit".
Edhe
Ukraina do të kërkojë 20 miliardë dollarë shtesë nga aleatët për luftën kundër Rusisë
Reutersi nuk mundi të verifikonte raportet e fushëbetejës.
Më shumë mbështetje
Në Varshavë, Zelensky do të takohet me presidentin, Andrzej Duda, dhe me kryeministrin, Mateusz Morawiecki, dhe do të flasë me refugjatët ukrainas.
Udhëheqësi ukrainas kaloi kufirin me Poloninë - e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në bindjen e fuqive të tjera perëndimore për të furnizuar Ukrainën me tanke luftarake dhe armatime të tjera - të mërkurën në mëngjes.
"Nuk do të jetë befasi për askënd që pala ukrainase do t'i kërkojë Polonisë dhe partnerëve të tjerë të huaj më shumë mbështetje... por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ne si Poloni tashmë kemi bërë shumë", tha ndihmësi i presidentit polak, Marcin Przydacz.
Przydaczi tha më herët se një ngarkesë e parë e avionëve luftarakë MiG tashmë ishte dorëzuar në Ukrainë.
“MiG-të nga Polonia do të forcojnë ndjeshëm mbrojtjen tonë, do të na lejojnë të bëjmë qiellin tanë më të sigurt, të shpëtojmë jetën e qytetarëve tanë dhe gjithashtu të zvogëlojmë shkatërrimin e shkaktuar nga sulmet ruse”, shkroi në Telegram ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.
Më vete, Kremlini tha se presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, do të udhëtojë për në Moskë të mërkurën për dy ditë bisedimesh me Putinin.
Edhe
Zelensky i kërkon Trumpit raketa “Patriot”
Bjellorusia është ndër aleatët më të fortë të Putinit dhe u përdor si pikënisje për pushtimin rus në shkurt të vitit të kaluar. Putini tha muajin e kaluar se Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi.
Përktheu: Forca Jashari
