Ndalja e luftës, tërheqja e trupave dhe kthimi në të drejtën ndërkombëtare, janë tri kushtet e Ukrainës për Rusinë, në mënyrë që negociatat të nisin, raportoi BBC-ja të dielën.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se kur Rusia t'i plotësojë këto kushte, mund të ulen në tavolinë si palë dhe të negociojnë.
Presidenti Zelensky u shpreh se është kundër negociatave me Rusinë, me arsyetimin se “Rusia me armëpushim tenton të fitojë në kohë”.
Ndërsa, thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Ukrainës që të negociojë janë shtuar. Jake, Sullivan, këshilltar i presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, tha se Zelensky duhet t'i mendojë seriozisht kërkesat për dialog.
Ndërsa, gjenerali ukrainas, Valery Zaluzhnyi, tha se kusht për të negociuar është që Rusia të largohet nga territoret e pushtuara.
Javëve të fundit, Ukraina ka arritur t’i çlirojë dhjetëra vendbanime dhe lokacione, ndërsa ofensivat ruse kanë dështuar. Autoritetet ruse janë shprehur pro negociatave me Ukrainën.