Ukraina ka kritikuar të mërkurën ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, për politikën e saj energjetike, raportoi BBC-ja.
Sipas këshilltarit në Presidencën ukrainase, Mykhaylo Podolyak, Merkeli e ka shtyrë Evropën drejt një varësie më të madhe nga furnizimet ruse të energjisë.
“Nëse kancelarja Merkel e ka ditur gjithmonë se Rusia po planifikonte një luftë dhe qëllimi i Putinit është të shkatërrojë BE-në, atëherë pse Gjermania do të ndërtonte Nord Stream 2” , ka shkruar ai në Twitter.
Ky reagim nga zyrtari ukrainas ka ndodhur pasi Merkeli ka thënë se nuk ka asgjë për të kërkuar falje për përgjigjen e saj ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Merkeli, e cila ka liruar detyrën gjashtë muaj më parë, ka thënë të martën se Evropa dhe Rusia janë fqinje që nuk mund ta injorojnë njëra-tjetrën.
“Duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar pavarësisht nga të gjitha dallimet tona”, ka thënë ajo.
Ish-kancelarja gjermane gjithashtu ka mbrojtur kundërshtimin e saj gjersa ishte në detyrë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.