Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbrojtur politikën e saj ndaj Rusisë, përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt, duke thënë se pushteti i saj për të ndikuar te presidenti rus Vladimir Putin, kishte mbaruar.
Ajo ka theksuar se ishte përpjekur të organizonte bisedime në mes të presidentit rus dhe presidentin francez Emmanuel Macron, në verën e vitit 2021.
"Por unë nuk e kisha fuqinë më ... me të vërtetë të gjithë e dinin, në vjeshtë unë do të largohesha", ka theksuar ajo.
Pas katër mandatesh si kancelare, Merkel u largua nga detyra në dhjetor të vitit 2021. Ajo bëri një vizitë përfundimtare në Moskë në gusht të vitit 2021.
Siç raporton BBC-ja, në një intervistë për revistën gjermane Spiegel, Merkel ka thënë se ndjenja ka qenë e qartë dhe se pushteti i saj politik kishte përfunduar.
Merkel ka thënë se “për Putinin, vetëm pushteti ka vlerë".
Sipas saj ka qenë domethënëse që në takimin e tyre përfundimtar, Putini kishte marr me vete ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, pasi më parë ishin takuar vetëm ata të dy.
Para fillimit të pushtimit të Ukrainës, që ishte paraprirë nga javë të tëra mobilizimit masiv ushtarak rus, në kufijtë e saj, ka pasur argumente se Merkel dhe udhëheqësit e tjerë të BE-së duhet të kishin miratuar një qasje më të ashpër ndaj Kremlinit.
Eksperti i politikës së jashtme në partinë e Merkelit, deputeti Roderich Kiesewetter, është në mesin e atyre që thonë se ajo e dinte që Putini po përpiqej të ndante dhe dobësonte Evropën, por ajo besonte se një politikë më e butë e saj, ishte qasja e duhur. Para pushtimit ai ka argumentuar se Gjermania ishte shumë e varur nga gazi rus.