Ukraina ka goditur Moskën dhe Rusinë perëndimore të martën në një nga sulmet më të mëdha me dronë deri më tani, duke vrarë të paktën një grua, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe duke detyruar mbylljen e aeroporteve kryesore, kanë thënë zyrtarët rusë.
Ukraina ka lëshuar grupe dronësh drejt një prej fuqive më të mëdha bërthamore të botës. Rusia ka thënë se ka shkatërruar të paktën 20 dronë mbi rajonin e Moskës dhe rreth 124 të tjerë mbi tetë rajone të tjera, shkruan Reuters.
Tri nga aeroportet e Moskës janë mbyllur për shkak të ngarkesës së trafikut ajror që pasoi pas sulmeve, ka thënë autoriteti rus i Rusisë, Rosaviatsia.
Dronët dëmtuan të paktën dy ndërtesa banimi në distriktin Ramenskoye, të cilat filluan të digjen, ka thënë guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov.
Një grua 46-vjeçare ka vdekur dhe tre persona të tjerë janë plagosur në Ramenskoye, ka thënë Vorobyov. Ai ka shtuar se 43 njerëz janë evakuuar në qendra të përkohshme akomodimi.
Më shumë se 70 dronë janë rrëzuar mbi rajonin Bryansk dhe dhjetë të tjerë në rajone tjera, ka thënë ministri i Mbrojtjes. Sipas tij nuk ka pasur dëme apo viktima të raportuara atje.
Industria e brendshme e dronëve të Ukrainës është duke u zhvilluar shpejt dhe Kievi është duke i rritur sulmet me dronë drejt infrastrukturës së energjisë, ushtrisë dhe transportit të Rusisë.