Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tusk: Keq që bashkë me Devisin e Johnsonin nuk shkoi edhe ideja e BREXIT-it

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka komentuar dorëheqjet e Devid Devis dhe Boris Johnson.

Tusk ka thënë se i vjen keq që bashkë me ta nuk shkoi edhe ideja e BREXIT-it.

“Politikanet vijnë e shkojnë, por problemet që ata i krijojnë mbesin për qytetarët. Më vjen keq që ideja e BREXIT-it, nuk shkoi bashkë me Davisin dhe Johnsonin. Por... kush e di?”, ka thënë Tusk në një tweet.

Kujtojmë se sot ka dhënë dorëheqje nga qeveria, sekretari i Brexit-it David Davis, i cili ka udhëhequr negociatat e Britanisë së Madhe për braktisjen e Bashkimit Evropian.

Në letrën e tij të dorëheqjes ai ka kritikuar planin e qeverisë për Brexit-it duke thënë se do ta vendoste Parlamentin në një pozitë të dobët në procesin negociues, raporton BBC.

Kryeministrja Theresa May u përgjigj ndaj tij duke thënë se nuk pajtohet, megjithatë e falënderoi për kontributin e dhënë. Davis ishte emëruar sekretar në vitin 2016.

Pas tij edhe sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Johnsonit vjen vetëm disa ditë pasi që kryeministrja Theresa May e siguroi marrëveshjen me ministrat rreth strategjisë britanike për largimin nga BE-ja.

“Këtë pasdite, kryeministrja e ka pranuar dorëheqjen e Boris Johnsonit nga posti i Sekretarit të Jashtëm. Zëvendësimi i tij do të bëhet i ditur brenda një kohe të shkurtër. Kryeministrja e falënderon Borisin për punën e tij”, është bërë e ditur përmes një emaili nga zyra e kryeministres May, transmeton “Reuters”.

Johnson duhej të merrte pjesë në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ministrat e jashtëm e kanë pritur gjithë ditën, por ai nuk është shfaqur, edhe pse shteti i tij është organizator i Samitit.

Britania e Madhe përmes referendumit në qershor të vitit 2016 vendosi që të braktisë BE-në, mirëpo largimi ende nuk ka marrë formën e prerë, dhe negociatat pritet të zgjasin me vite.

Artikuj të ngjashëm