Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia zbutë ndalesën për përdorimin e valutave të huaja

Stamboll, 16 nëntor – Autoritetet turke kanë zbutur masat e ndalesës për përdorimin e valutave të huaja, të cilat janë zbatuar në kohën e kulmit të krizës ekonomike të këtij viti, thuhet në një dekret shtetëror të publikuar të premten.

Në shtator, Qeveria turke urdhëroi shitjen e patundshmërive, lidhjen e kontratave dhe ujdive mbi qiratë ekskluzivisht me valutën vendore, lira, në një veprim që presidenti, Recep Tayyip Erdogan, e cilësoi si hap për mbështetjen e valutës. Valutat e huaja janë përdorur kryesisht në marrëveshjet për qira të qendrave tregtare si dhe në kontratat e shit-blerjes së patundshmërive.

Pas rënies rekorde të liras nën 7.24 për qind të vlerës së dollarit gjatë gushtit, valuta turke ka shënuar një rimëkëmbje të lehtë. Megjithatë, lira vazhdon të jetë dukshëm e ulët krahasuar me dollarin ndërsa ekonomistët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për ndikimin e vazhdueshëm të këtij fakti në ekonominë e vendit, përcjell Koha.net. Nën rregullat e reja të publikuara të premten në Gazetën Zyrtare, banorët e huaj do të jenë në gjendje të lidhin kontrata për shit-blerjen e patundshmërive në valuta të huaja. Paraja e huaj mund të përdoret tani edhe në kontratat e qirave për turistët dhe në dyqanet e zonës pa dogana.

Asociacioni i Hotelerisë në Turqi ka bërë përpjekje të shumta për ta ruajtur të drejtën e sektorit për të lidhur marrëveshje me valuta të huaja.

Muajin e shkuar, Qeveria turke shpalli të tjera lehtësime për ndalesën e përdorimit të valutave të huaja në ujditë afariste, përfshirë këtu kontratat që ndërlidhen me eksportet, instrumentet e tregut kapital dhe në kontratat e punësimit për të huajt.