Policia turke ka sekuestruar sasinë e tretë më të madhe të kokainës në historinë e vendit, ka njoftuar ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, pasi grupet që monitorojnë krimin e organizuar paralajmëruan se Turqia po shndërrohej në një pikë hyrëse për drogën që arrinte në Evropë.
Në një operacion rreth tri provincave, është konfiskuar 608 kg kokainë kryesisht e lëngshme, ka shkruar Yerlikaya në X të enjten. Gjithashtu u sekuestruan rreth 830 kg lëndë kimike pararendëse të përdorura për përpunimin e drogës, raporton The Guardian.
Sipas ministrit, operacioni policor kishte në cak një bandë ndërkombëtare e cila mendohet se udhëhiqet nga një shtetas libanez-venezuelian, i cili ishte në mesin e katër anëtarëve të huaj të grupit të organizuar të krimit që janë arrestuar bashkë me nëntë turq.
“Sasia e kokainës së sekuestruar në operacion është e treta më e madhja që është sekuestruar ndonjëherë në Turqi”, ka deklaruar ministri.
Grupet që monitorojnë krimin e organizuar thonë se Turqia po rritet si kanal transit i kokainës e cila vjen nga Amerika Jugore në Evropë, derisa siguria në portet si ajo në Rotterdam të Holandës po shtohet.
Në një raport të tetorit të vitit të kaluar, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar ka thënë se një rritje prej 44% e konfiskimeve të kokainës në Turqi midis 2021 dhe 2022 nuk u reflektua në të dhënat për konsumin e brendshëm, “duke theksuar se vendi ka të ngjarë të shërbejë si korridor i drogës”.
Sasia më e madhe e kokainë e sekuestruar në Turqi ishte në peshë prej 1,1 tonësh, e fshehur në një kontingjent bananesh që kishin ardhur nga Ekuadori, në vitin 2021.