Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald  Trump, tha se u ka kërkuar rreth shtatë vendeve të dërgojnë anije luftarake për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa sulmet iraniane vazhduan të godasin vendet e Gjirit në orët e para të së hënës.

Trumpi tha se SHBA-ja po  negocion me vende që varen shumë nga nafta e Lindjes së Mesme për t’u bashkuar në një koalicion që do të patrullojë këtë rrugë ujore, ku normalisht kalon rreth një e pesta e naftës që tregtohet në botë, por ai nuk pranoi të përmendte emrat e këtyre vendeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, aeroporti më i ngarkuar në botë, ka rifilluar gradualisht disa fluturime pas rastit kur një dron goditi në depo karburanti, duke shkaktuar zjarr. Autoritetet thanë se zjarri u vu shpejtë nën kontroll dhe nuk u raportuan të lënduar.

Zyrtarët iranianë kohët e fundit kanë akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe se po lejon që territori i saj të përdoret për sulme kundër Iranit.

Sulm me dron në një zonë me naftë në Emiratet e Bashkuara

1 d. më parë / 16 mar 2026 20:50
sulme

Zyrtarë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, thonë se po luftojnë një zjarr të shkaktuar nga një sulm me dron në një fushë nafte pranë, ka raportuar BBC.

Nuk raportohet asnjë i lënduar, njofton zyra e mediave e Abu Dhabit.

Fusha Shah, e vendosur 230 km në jug të Abu Dhabit, është një projekt i madh nafte që operohet nga kompania shtetërore Abu Dhabi National Oil Company (ADNOC).

Sipas faqes së saj zyrtare, fusha ka një kapacitet prodhimi prej 70,000 fuçish nafte në ditë.

Ndërkohë presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka zhvilluar një bisedë me presidentin francez Emmanuel Macron, ku theksoi se “Irani nuk e ka filluar këtë luftë të tmerrshme”.

“Mbrojtja ndaj pushtimit është një e drejtë e jona dhe në të cilën ne jemi të mirë. Përdorimi i bazave amerikane kundër Iranit në rajon, me qëllim shqetësimin e marrëdhënieve tona me fqinjët, duhet të ndalet”, ka shkruar Pezeshkian në rrjetet sociale.

Pezeshkian theksoi gjithashtu se Irani “nuk do të dorëzohet ndaj bullizmit” ndërsa bëri thirrje që “komuniteti global të dënojë këtë pushtim”.

“Të flasësh për përfundimin e luftës, është pa kuptim, derisa të sigurohemi që nuk do të ketë më sulme në tokën tonë në të ardhmen,” shtoi Pezeshkian.

Izraeli thotë se ka nisur operacione tokësore në Liban

1 d. më parë / 16 mar 2026 18:24
Ushtria izraelite

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite ka thënë se trupat e saj kanë filluar "operacione tokësore të kufizuara dhe të synuara" kundër grupit të armatosur Hezbollah të mbështetur nga Irani në Libanin jugor. 

Ushtria ka thënë se operacionet synonin “fortesat kryesore të Hezbollahut" në ditët e fundit, me qëllim forcimin e mbrojtjes së komuniteteve kufitare izraelite. 

Avionët luftarakë izraelitë kanë vazhduar të godasin qytete dhe fshatra në të gjithë Libanin jugor. 

Mediat shtetërore thonë se shtatë persona, përfshirë dy ndihmës mjekësorë, u vranë të hënën. Në Izrael, sirenat u dëgjuan në përgjigje të sulmeve me raketa të Hezbollahut, por nuk u raportuan viktima.

Libani u përfshi në konfliktin midis Izraelit, SHBA-së dhe Iranit dy javë më parë kur Hezbollahu lëshoi raketa dhe dronë në Izrael në hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit dhe sulmet e përsëritura izraelite që nga një armëpushim që i dha fund luftës së tyre të fundit në vitin 2024.

Izraeli ka thënë se sulmi i Hezbollahut justifikonte nisjen e një ofensive të re kundër grupit që do të vazhdonte derisa të çarmatosej. 

Të paktën 850 persona, përfshirë 107 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Liban që atëherë dhe 830,000 të tjerë janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze. 

Dy ushtarë izraelitë janë vrarë në Libanin jugor, sipas ushtrisë izraelite.

Kombet e tjera s’janë entuziaste për ta ndihmuar SHBA-në, thotë Trumpi

1 d. më parë / 16 mar 2026 17:42
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë sërish thirrje vendeve të tjera që ta ndihmojnë SHBA-në për ta siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Ai ka deklaruar të martën në një konferencë për media, se disa liderë janë shprehur pro ndihmës. 

Por ai ka tallur kombet që nuk janë siç ka thënë aq "entuziaste" për të ndihmuar SHBA-në.

"Ata thanë se nuk do të përfshiheshim... E di që ne i mbrojmë ata, dhe nëse ndonjëherë do të kishim nevojë për ndihmë, ata nuk do të jenë aty për ne”, është shprehur Trumpi.

Gjermania, Britania dhe Spanja, janë ndër vendet e para që nuk janë përgjigjur pozitivisht në kërkesën e Trumpit që vendet aleate të NATO-s ta ndihmojnë SHBA-në të sigurojë Ngushticën e Hormuzit. 

Trump: SHBA-ja ka goditur 7,000 objektiva në Iran

1 d. më parë / 16 mar 2026 17:30
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja ka goditur 7,000 objektiva në Iran deri më tani, që kur ka nisur luftën ndaj tij, më 28 shkurt. 

"Ato janë zhdukur fjalë për fjalë”, ka thënë presidenti, duke shtuar se forca ajrore dhe marina e vendit janë zhdukur, udhëheqësit e tyre janë zhdukur dhe teknologjia e tyre kundërajrore është "shkatërruar".

SHBA-ja dhe Izraeli po "bëjnë atë që duhej të ishte bërë shumë vite më parë", ka shtuar ai. 

Ai ka thënë se SHBA-ja sot ka goditur tri fabrika në Iran ku prodhoheshin dronë dhe raketa.

Ai gjithashtu u është referuar bombardimeve amerikane të ishullit Kharg javën e kaluar, duke thënë se ata shkatërruan gjithçka përveç "tubave" ku mbajnë naftën.

Aleatët e NATO-s i rezistojnë kërkesës së Trumpit për ta siguruar Ngushticën e Hormuzit

1 d. më parë / 16 mar 2026 17:05
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një intervistë për “Financial Times” ka paralajmëruar vendet anëtare të NATO-n se “i pret një e ardhme shumë e keqe” nëse dështojnë ta ndihmojnë SHBA-në në lidhje me Iranin.

Ndërsa në një adresim nga “Air Force One” ka thënë se u ka kërkuar disa shteteve aleate që të ndihmojnë në sigurimin e anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, SHBA-ja ka qenë “shumë e sjellshme” me aleatët e saj evropianë dhe i ka ndihmuar ata për luftën në Ukrainë, dhe tani pret që të shohë se si do ta ndihmojnë ata SHBA-në.

“Mbani mend, si shembull i shumë rasteve në vendet e NATO-s, ne jemi gjithmonë aty për NATO-n. Po i ndihmojmë ata me Ukrainën. Ekziston një oqean midis nesh, nuk na prek, por i kemi ndihmuar. Do të ishte interesante të shihnim se cili vend nuk do të na ndihmonte me një përpjekje shumë të vogël, e cila është thjesht mbajtja e ngushticës hapur, dhe është e vogël, sepse Iranit i kanë mbetur shumë pak fuqi zjarri", ka deklaruar Trumpi.  

Ai e ka përmendur edhe Kinën si një nga vendet që duhet të ndihmojnë në hapjen e ngushticës, duke theksuar se Pekini varet shumë nga dërgesat e naftës që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.

Mirëpo, deri më tani, asnjë vend nuk është zotuar të dërgojë anije luftarake në rrugën ujore, për të cilën Irani pretendon se po operon në “kushte të veçanta”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë të hënën se vendi i tij po punon me aleatët për një plan për të rihapur rrugën thelbësore të transportit detar.

Mirëpo, ai ka shtuar gjatë një konference për media në Londër se Mbretëria nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë, duke theksuar se për të, e rëndësishme është mbrojtja e popullatës së saj në rajon.

“Së pari, ne do të mbrojmë njerëzit tanë në rajon. Së dyti, ndërsa ndërmarrim veprimet e nevojshme për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë, nuk do të përfshihemi në një luftë më të gjerë. Dhe së treti, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një zgjidhjeje të shpejtë që sjell sigurinë dhe stabilitetin përsëri në rajon dhe ndalon kërcënimin iranian ndaj fqinjëve të tij”, është shprehur Starmer.

E zëdhënësi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, Stefan Kornelius, ka thënë se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, nuk është luftë e NATO-s.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n - nuk është lufta e NATO-s. NATO është një aleancë për të mbrojtur zonën e aleancës. Dhe qeveria federale e ka bërë gjithashtu të qartë qëndrimin e saj për pjesëmarrjen në këtë luftë”, ka thënë Kornelius. 

Kundërshtimin për të marrë pjesë në sigurimin e Hormuzit e ka bërë edhe Spanja, qeveria e së cilës ka thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në Lindjen e Mesme, sepse e konsideron luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si të paligjshme.

Ndërkaq, shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se BE-ja do të shqyrtojë mundësitë për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

E diplomati më i lartë i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë të hënën se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur vetëm për anijet e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe aleatëve të tyre.

Sipas tij, nga perspektiva e tyre, ajo është e hapur.

Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin më shumë se dy javë më parë, Teherani ka sulmuar disa anije në Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës botërore. 

Spanja refuzon pjesëmarrjen në çfarëdo aksioni në Ngushticën e Hormuzit

1 d. më parë / 16 mar 2026 14:18
Margarita Robles

Photo: Associated Press

Spanja nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit sepse e konsideron luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si të paligjshme, kanë thënë të hënën ministrat e Mbrojtjes dhe të punëve të Jashtme të Madridit.

Qeveria e koalicionit të majtë e udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez ka kritikuar ofensivën dhe ka ndaluar avionët pjesëmarrës amerikanë të përdorin baza të operuara bashkërisht në Spanjën jugore.

Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, ka hedhur poshtë një kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump për mbështetje ushtarake për të siguruar rrugën ujore, të cilën Teherani e ka bllokuar de facto për trafikun e cisternave të naftës, dhe kërcënimet e tij për një "të ardhme shumë të keqe" për aleatët e NATO-s nëse nuk e bëjnë këtë.

"Spanja nuk do të pranojë kurrë masa të përkohshme, sepse objektivi duhet të jetë që lufta të përfundojë, dhe që ajo të përfundojë tani", ka thënë Robles.

Situata në ngushticë është një çështje shqetësuese për evropianët, por qëndrimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë që lufta duhet të përfundojë pavarësisht nga konsideratat ekonomike, ka thënë ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares.

"Nuk duhet të bëjmë asgjë që do të shtonte edhe më shumë tension ose do të shkaktonte përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës", u ka thënë ai gazetarëve në Bruksel.

Disa anëtarë të BE-së si Gjermania, Italia ose Greqia kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk do të bashkohen me operacionet ushtarake në ngushticë, ndërsa të tjerë, përfshirë Danimarkën, ende nuk kanë marrë një vendim.

Gjermania kundër përfshirjes së NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit

1 d. më parë / 16 mar 2026 12:46
Johann Wadephul

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka thënë të hënën se NATO-ja nuk duhet të luajë një rol në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Deklarata e tij është bërë pak pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar aleancën veriatlantike se do të përballet me një të ardhme "shumë të keqe" nëse nuk arrin të ndihmojë.

Duke folur përpara një takimi në Bruksel të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, Wadephul ka thënë se Gjermania nuk e sheh NATO-n "duke marrë përgjegjësi" për Ngushticën e Hormuzit.

Wadephul ka shtuar se Gjermania është në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj "atyre përgjegjës" për bllokimin e kalimit kyç të transportit detar.

Bie çmimi i arit

1 d. më parë / 16 mar 2026 12:07
Ari

Photo: Associated Press

Çmimet e arit kanë rënë të hënën, nën presionin e shqetësimeve se rritja e kostove të naftës mund të rrisë inflacionin dhe të nxisë një qëndrim më të ashpër politik nga bankat kryesore qendrore, përfshirë Rezervën Federale të SHBA-së.

Ari ka rënë të hënën me 0.7% në 4,983.17 dollarë për ons (1 ons = 28 gram). 

Nafta ka arritur në mbi 100 dollarë për fuçi, duke u rritur me më shumë se 40% këtë muaj, në nivelet e saj më të larta që nga viti 2022, pasi sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit e shtynë Teheranin të ndalonte dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të dielën u ka bërë presion aleatëve që të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa forcat iraniane vazhdojnë sulmet në rrugën ujore jetike, mes luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit, e cila tani është në javën e saj të tretë.

Starmer: Po punojmë për një plan të zbatueshëm për Ngushticën e Hormuzit

1 d. më parë / 16 mar 2026 11:53
Keir Starmer

Keir Starmer

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se po punon me aleatët për të krijuar një plan të zbatueshëm për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. 

Gjatë një konference për media të hënën, Starmer ka thënë se është e qartë se operacioni amerikan ka "dobësuar masivisht" aftësinë ushtarake të "regjimit të neveritshëm në Iran".

Por pas konfliktit, Starmer thotë se do të duhet një lloj "marrëveshjeje e negociuar" që kufizon aftësinë e Iranit për të rindërtuar programin e tij bërthamor dhe për të siguruar transportin ndërkombëtar detar.

Ai ka shtuar se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet për të "siguruar stabilitetin në tregje".

"Kjo nuk është një detyrë e thjeshtë", ka thënë ai, prandaj "Mbretëria e Bashkuar po punon me të gjithë aleatët tanë për të sjellë një plan të zbatueshëm për të rivendosur lirinë e lundrimit në rajon".

Sipas tij, Mbretëria nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë, duke theksuar se për të, e rëndësishme është mbrojtja e popullatës së saj në rajon. 

Shtrenjtohet edhe më tej nafta në tregun botëror

1 d. më parë / 16 mar 2026 10:46
Nafta

Photo: Associated Press

Çmimi i naftës është rritur në nivelin më të lartë që nga korriku i vitit 2022 të dielën në mbrëmje, pasi administrata Trump sugjeroi se lufta me Iranin mund të zgjasë edhe disa javë, ndërkaq vetë presidenti i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për cisternat e naftës.

Standardi global i naftës brent është rritur me 2.9% në rreth 106.12 dollarë për fuçi. Nafta amerikane është rritur me 2.6% në 101.53 dollarë.

Lufta e udhëhequr nga SHBA-ja dhe Izraeli në Iran tani ka hyrë në javën e saj të tretë, duke shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori. 

Ngushtica e Hormuzit, rruga ujore jetike e kontrolluar nga Irani, është mbyllur praktikisht për kalimin e cisternave të naftës që nga fillimi i luftës. Rreth 20% e furnizimit botëror me naftë kalon përmes këtij kalimi të ngushtë.

Administrata e Trumpit ka tentuar vazhdimisht të qetësojë shqetësimet lidhur me rrjedhën e transportit detar. Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të dërgojë forca detare për të shoqëruar dhe mbrojtur cisternat e naftës teksa ato udhëtojnë jashtë Lindjes së Mesme. 

Por administrata së fundmi ka pranuar se mund të duhen javë para se marina të jetë gati të fillojë këtë operacion.

Trumpi, të shtunën, në një postim në Truth Social, u ka kërkuar vendeve të tjera të ndihmojnë në koordinimin e rihapjes së ngushticës për të rikthyer rrjedhën e naftës, “në mënyrë që gjithçka të shkojë shpejt, pa probleme dhe mirë”. Ndërkaq të hënën, ai ka lëshuar një paralajmërim për vendet e NATO-s të cilat nuk ndihmojnë në këtë drejtim. 

Të dielën e kaluar, nafta ka arritur pothuajse në 120 dollarë për fuçi para se të stabilizohej në rreth 100 dollarë gjatë ditës së hënë.

Irani ka rritur presionin, duke vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit dhe duke thënë se do të godasë çdo infrastrukturë nafte dhe gazi të lidhur me SHBA-në. Disa cisterna janë goditur në këtë ngushticë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

BE-ja do të diskutojë mundësitë për të mbajtur hapur Ngushticën e Hormuzit

1 d. më parë / 16 mar 2026 10:26 Nga: BBC
ngushtica e hormuzit

Foto: EPA

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta diskutojnë se çfarë mund të bëhet nga ana evropiane për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së.

“Është në interesin tonë që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur”, ka deklaruar Kaja Kallas përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, raporton Reuters.

Disa anije thuhet se janë sulmuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa përpiqeshin të kalonin nëpër këtë ngushticë, përmes së cilës kalon zakonisht rreth 20 për qind e naftës botërore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë se “do të ishte shumë keq për të ardhmen e NATO-s nëse aleatët e SHBA-së nuk e ndihmojnë në hapjen e dhe mbajtjen hapur të kësaj ngushtice”.

Të dielën, Trumpi foli me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer për rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, “për t’i dhënë fund ndërprerjeve në transportin detar global”.

Trumpi e paralajmëron NATO-n nëse nuk ndihmon në hapjen e Ngushticës së Hormuzit

2 d. më parë / 16 mar 2026 10:01 Nga: BBC
Donald Trump

Gjatë fluturimit të tij për t’u kthyer në Washington, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Donald Trump tha se ka biseduar me rreth shtatë vende për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Trumpi e përmendi Kinën si një nga këto vende, duke theksuar se ajo varet shumë nga dërgesat e naftës që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.

Megjithëse nuk përmendi vende të tjera me të cilat kishte kontaktuar, ai bëri referenca te aleanca e NATO-s si dhe vende të tjera që sipas tij duhet ta “mbrojnë territorin e tyre”.

Më herët ai i tha gazetës “Financial Times” se është krejtësisht e përshtatshme që vendet që përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit të ndihmojnë në rihapjen e saj.

Trumpi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim nga vendet tjera, kjo mund të jetë shenjë e keqe për të ardhmen e NATO-s, duke shtuar se SHBA-ja ka qenë “shumë e sjellshme” me aleatët e saj evropianë.

“Ne nuk ishim të detyruar t’i ndihmonim në Ukrainë. Ukraina është mijëra milje larg nesh. Por ne ndihmuam. Tani do të shohim nëse ata do të na ndihmojnë ne. Sepse prej kohësh kam thënë se ne do të jemi aty për ta, por ata nuk do të jenë aty për ne, dhe nuk jam i sigurt nëse vërtetë do të jenë”, ka thënë ai.