Botë

Trumpi pranon të zgjasë afatin e bisedimeve tregtare me BE-në

Donald Trump dhe Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rënë dakord të zgjasë afatin për të negociuar tarifat me Bashkimin Evropian për më shumë se një muaj.

Muajin e kaluar, ai ka njoftuar një tarifë 20%, ose taksë importi, për shumicën e mallrave të BE-së, por më vonë e ka ulur atë në 10% për të lënë kohë për negociata. 

Të premten, Trumpi ka shprehur zhgënjimin me ritmin e bisedimeve dhe ka kërcënuar se do të rriste normën e tarifave në një nivel edhe më të lartë prej 50% që më 1 qershor.

Të dielën, ai ka shkruar në mediat sociale se e ka shtyrë afatin e tij deri në 9 korrik, pas një telefonate të cilën e ka cilësuar "shumë të bukur" me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen i ka bërë jehonë vlerësimit të Trumpit për thirrjen dhe ka thënë se blloku ishte "gati për të çuar përpara bisedimet me shpejtësi dhe vendosmëri".

Por, në postimin e saj në internet, von der Leyen ka shkruar se "Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhej kohë deri më 9 korrik".

Pranimi i asaj date nga Trumpi do të thotë se afati është afër asaj që ishte më parë. Përpara se të kërcënonte normën 50%, Trumpi kishte vendosur një afat kohor prej 8 korrikut për të dyja palët për të biseduar.

Trump ka kritikuar prej kohësh atë që ai e sheh si një marrëdhënie të padrejtë tregtare të SHBA-së me BE-në, pavarësisht se blloku është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Uashingtonit.

Vitin e kaluar, BE-ja ka eksportuar më shumë se 600 miliardë dollarë mallra në SHBA ndërsa ka importuar 370 miliardë dollarë, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.