Botë

Trumpi përballet me pengesa në hetime të tjera

Donald Trump - SHBA

Ish-presidenti Donald Trump do të gjykohet të martën për akuzat që rëndojnë mbi të, lidhur me pagesat e parave në këmbim të heshtjes të ish-aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels. Derisa vëmendja do të jetë në Nju-Jork, hetimet nga Atlanta në Uashington do të vazhdojnë, me gjithë urdhëresat për bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e Trumpit për të ofruar dëshmi

Ish-presidenti Donald Trump po përballet me sfidën më urgjente ligjore të jetës së tij këtë javë në Nju-Jork. Ai do të gjykohet të martën për akuzat që lindën nga pagesat e parave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së tij të 2016-s.

Por, meqenëse vëmendja do të jetë në gjykatën në Manhattan, hetimet nga Atlanta në Uashington do të vazhdojnë, duke nënvizuar gamën e gjerë të rrezikut me të cilin Trumpi përballet ndërsa kërkon të rimarrë presidencën.

Dobësia me të cilën përballet Trumpi vetëm në Uashington është bërë e qartë gjatë muajit të kaluar, pasi gjyqtarët në një sërë vendimesh të vulosura kanë anashkaluar përpjekjet e ekipit të Trumpit për të bllokuar dëshminë e jurisë së madhe - përfshirë nga avokati dhe ish-zëvendëspresidenti i tij - nga dëshmitarët që ishin ose janë ende, afër tij dhe të cilët mund të mund të ofronin një pasqyrë të drejtpërdrejtë në ngjarjet kryesore.

Vendimet që udhëzojnë këshilltarët dhe ndihmësit të dëshmojnë nuk sugjerojnë se Departamenti i Drejtësisë është afër ngritjes së kallëzimeve penale dhe as nuk garantojnë që prokurorët mund të sigurojnë dëshmi të vlefshme për një ndjekje penale të mundshme.

Ndërkohë, prokurori i qarkut në Atlanta po vazhdon të hetojë përpjekjet e Trumpit dhe aleatëve të tij për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje në Georgia. Një juri e madhe speciale në shkurt tha se besonte se "një ose më shumë dëshmitarë" kryen dëshmi të rreme dhe u kërkoi prokurorëve vendas të ngrinin akuza.

Ish-presidenti nuk dëshmoi kurrë para jurisë së madhe, që do të thotë se ai nuk është në mesin e atyre që mund të kishin deklaruar të rremë veten. Por raporti nuk përjashton mundësinë e akuzave të tjera dhe çështja ende paraqet sfida të veçanta për Trumpin.

Qëllimi i dëshmisë së jurisë së madhe është i pazakontë, por ndoshta i përshtatshëm për hetime jashtëzakonisht të rëndësishme, si ai që ka të bëjë me një ish-president. Ai gjithashtu qëndron në kontrast me hetimin e fundit të këshilltarit special që përfshinte Trumpin, kur ai ishte president dhe kur Robert Mueller dhe ekipi i tij i prokurorëve kërkuan të përcaktonin nëse fushata e Trumpit në vitin 2016 kishte bashkëpunëtor Rusinë për zgjedhjet.

Në atë hetim një avokat brenda Shtëpisë së Bardhë, Ty Cobb, organizoi intervistat vullnetare të stafit të Shtëpisë së Bardhë - pa fletëthirrje - me shpresën se bashkëpunimi do ta përshpejtonte hetimin.

Trumpi në atë hetim u mbrojt nga pushteti i zyrës së tij dhe nga opinionet ligjore të Departamentit të Drejtësisë që thonë se një president në detyrë nuk mund të paditet. Jo më president, Trumpi e ka humbur atë mburojë, duke ngritur rrezikun e ekspozimit të tij kriminal. Dhe ndërsa prokurorët kanë kërkuar të marrin në pyetje njerëzit e afërt të tij – avokatët e Trumpit kanë kundërshtuar vazhdimisht.

Ndoshta shembulli më i gjallë erdhi muajin e kaluar kur kryegjyqtari i atëhershëm i gjykatës federale të distriktit të Columbias urdhëroi që avokati i Trumpit, M. Evan Corcoran, duhej të jepte më shumë dëshmi në hetimin e Mar-a-Lago.

Një tjetër rast erdhi javën e kaluar kur një gjykatës tjetër federal, James Boasberg, vendosi që ish-zëvendëspresidenti Mike Pence duhej të jepte disa dëshmi në një hetim të këshilltarit special të Departamentit të Drejtësisë në përpjekjet për të zhbërë zgjedhjet.

Vendimi hodhi poshtë argumentet e ekipit të Trumpit për privilegjin ekzekutiv, megjithëse Boasbergu i dha Pence-it një fitore duke pranuar argumentet e avokatëve të tij se, për arsye kushtetuese ai nuk mund të merrej në pyetje për veprimet e tij më 6 janar 2021, kur gjatë sulmeve të Kapitolit të SHBA-së republikani Pence po kryesonte një seancë të përbashkët të Kongresit për të vërtetuar fitoren e demokratit Joe Biden.

Ish-ndihmës të tjerë të Trumpit, duke përfshirë Stephen Miller dhe ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O'Brien, janë urdhëruar gjithashtu kohët e fundit nga një gjykatës të ofrojnë dëshmi pavarësisht kundërshtimeve të ekipit të Trumpit për privilegjin ekzekutiv.

“Pragu për të mbizotëruar në një luftë mbi privilegjin ekzekutiv ose avokat-klient është më i ulët se barra e nevojshme për të fituar një çështje penale në gjyq”, tha Randall Eliason, ish-prokuror federal dhe profesor i drejtësisë në Universitetin George Washington.