Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mohuar se e ka pranuar fitoren e rivalit të tij, Joe Biden, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Më herët përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai për herë të parë shkroi: “Ai fitoi, sepse zgjedhjet u manipuluan”.
Kjo ishte hera e parë që Trumpi përmendi fitoren e kundërkandidatit të tij, duke nxitur reagime se ky është një sinjal që ai po e pranon fitoren e Bidenit.
Por, përmes një postimi tjetër, Trumpi tha se “ai nuk ka pranuar asgjë”.
“Ai ka fituar vetëm në sytë e mediave që prodhojnë lajme të rreme. Nuk kam pranuar asgjë. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Këto kanë qenë zgjedhje të manipuluara“, shkroi Trumpi, shkruan Reuters.
Bideni u projektua fitues, tetë ditë më parë, nga të gjitha mediat kryesore të SHBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për ta fituar Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze.
Për të siguruar rizgjedhjen, Trumpi do të duhet ta përmbysë epërsinë e Bidenit në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve thonë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Fushata e Trumpit, megjithatë, shënoi një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë urdhëroi qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk paraqiti identifikimin e vlefshëm në kohë.
Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Bideni mban një epërsi prej rreth 55.000 votash. Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera - Arizona dhe Michigan - kanë hedhur poshtë padi të tjera. Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.