Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Izrael. Ai në aeroportin Ben Gurion në periferi të Tel Avivit është pritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, raporton “BBC”.
Trump është parë me buzëqeshje në fytyrë ndërsa ka zbritur nga aeroplani Air Force One.
Trump do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Izraeli.
Presidenti amerikan tha se do të donte ta vizitonte po ashtu Gazën.
Të hënën janë liruar shtatë pengje izraelite si pjesë e marrëveshjes së paqes që Trumpi e ka ndërmjetësuar mes Izraelit e Hamasit.
Kryqi i Kuq ndërkohë është nisur në Gaza për ta pranuar grupin e dytë të pengjeve izraelite.
Në këmbim Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë e mbi 1200 të paraburgosur.
Trumpi thotë se Hamasi do të çarmatoset
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Hamasi do të zbatojë një plan për çarmatosje.
Ai e ka bërë këtë deklaratë të hënën teksa ka mbërritur në parlamentin e Izraelit për të mbajtur fjalimin e tij në Knesset, sipas Reuters.
Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet më parë se çështja e dorëzimit të armëve nga Hamasi do të trajtohet në fazën e dytë të planit të paqes.
Hamasi duket se, të paktën publikisht, e refuzon idenë e çarmatosjes.