Katër vjetët e mandatit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë janë të mbushura me spektakël të cilin e kultivoi si yll televiziv.
Edhe përballja e tij me drejtësinë të martën nuk ishte kurrgjë ndryshe.
Ish-presidenti, i akuzuar se është treguar i pakujdesshëm me disa prej dokumenteve më sekrete të Amerikës dhe pengim të drejtësisë kur tentoi të fshehë këto dokumente, është deklaruar i pafajshëm për 37 akuza.
Mirëpo ditën e përballjes me drejtësinë e trajtoi si ditë fushate, ani pse përballet me kërcënime për ambiciet e tij politike.
Ani pse akuzat janë serioze, Trumpi si një shoumen i vërtetë, ka tentuar të përfitojë maksimalisht nga kjo ditë e gjykimit.
Republikani kishte ftuar përkrahësit e tij në gjykatën federale në Miami. Këtë ditë e ka cilësuar si një prej më të këqijave në histori të gjykatave amerikane.
Ashtu siç veproi gjatë paraqitjes në gjykatën e New Yorkut, Trumpi mbajti fjalim në një nga pronat e tij. Ka fyer prokurorin e rastit të tij, duke e quajtur bandit dhe të çmendur.
“Prokurori i rastit, të cilin e quaj ‘rasti ynë’, është bandit. Unë e quaj i çmenduri Jack Smith. Pyes se çfarë do të thotë emri i tij. Jack Smith, duket si i pafajshëm apo jo? Si e ka emrin? Jack Smith. Është shumë burrë i mirë”, tha Trumpi.
Ai gjithashtu ka thënë se nëse zgjidhet president gjatë vitit të ardhshëm, do të emërojë një prokuror special për të hetuar presidentin Joe Biden dhe familjen e tij.
“Do ta emëroj një prokuror special që do të ndjek presidentin më të korruptuar në histori të Shteteve të Bashkuara, Joe Bidenin dhe krejt familjen e tij kriminale”, deklaroi Trump.
Gjatë vitit të kaluar, në vilën e tij në Mar-a-Lago të Floridas janë gjetur 11 mijë dokumente, përfshirë 100 prej tyre të vulosura si dokumente të klasifikuara. Disa prej tyre janë cilësuar si top-sekrete.
Është e kundërligjshme që zyrtarët federalë – përfshirë presidentin – të heqin ose mbajnë dokumente të klasifikuara në një lokacion të paautorizuar.