Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar të enjten presionin ndaj Iranit lidhur me programin e saj bërthamor.
Ai ka paralajmëruar Teheranin se një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor ose sulmet e mundshme ajrore janë dy zgjidhjet e vetme për ngërçin diplomatik, raporton AP.
"Ne do të dëshironim të shihnim nëse mund ta zgjidhnim problemin e Iranit në një mënyrë inteligjente, në krahasim me një mënyrë brutale. Ka vetëm dy: inteligjente dhe brutale. Këto janë dy alternativat”, ka thënë Trumpi duke folur në Katar përpara liderëve të biznesit.
Trumpi i cili ka nisur të martën një turne katër-ditor në shtetet e Gjirit, ka deklaruar vazhdimisht gjatë vizitave në Arabi Saudite dhe në Katar, se dëshiron një marrëveshje me Iranin.
Të enjten ai do të shkojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, që është ndalesa e fundit e turneut.