Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Treshja amerikane e burgosur për spiunazh, padit Iranin

Tre amerikanë të cilët u burgosën nga Irani për më shumë se një vit dhe të akuzuar si spiunë kur ishin duke ecur përgjatë kufirit me Irakun, po padisin ish-rrëmbyesit e tyre, duke shpresuar të bindin një gjykatës që t'u japë atyre dëmshpërblim për torturat që ata thonë se kanë duruar.

Padia që po bëhet nga Sarah Shourd, ish-bashkëshorti dhe kolegu i saj gazetari Shane Bauer dhe miku i tyre Josh Fattal po mbikëqyret nga gjyqtari federal Richard Leon në Washington, i cili në vitin 2019 urdhëroi Iranin t'i paguante gazetarit të Washington Postit, Jason Rezaian, 180 milionë dollarë për burgosjen e tij me akuza të rreme për spiunazh.

Çdo dëm që Shourd, Bauer, Fattal dhe familjet e tyre mund të marrin nëpërmjet padisë së tyre do të vinin nga asetet e qeverisë iraniane që SHBA-ja ka konfiskuar përmes sanksioneve, raportoi The Guardian. 

Shourd dhe Bauer më 2009 ishin paraqitur publikisht si kundërshtarë të sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit pasi u liruan.

Ata ishin ndaluar kur po bënin një shëtitje përgjatë kufirit ku gjendet një ujëvarë që njihet si zonë turistike në Irak. Pa e kuptuar ata ishin futur në Iran dhe një grup ushtarësh që menduan se ishin irakianë, i kapën. Sipas padisë, ata u sollën me veturë për tre ditë me frikën se do t’i ekzekutonin, deri kur i dërguan në burgun famëkeq Evin në Teheran.