Botë

Tmerri nga bandat kriminale në jug të Meksikës

Shoferët për linjat e udhëtarëve në pjesët jugore të Meksikës janë në hall nga bandat kriminale që dyshohet se vijnë nga El Salvadori. Kompanitë e udhëtimeve janë të detyruara që të paguajnë shuma parash me qëllim që automjetet të lëvizin nëpër qytetet jugore.

Me telefonatat kërcënuese, djegien e minibusëve dhe vrasjen e së paku tre ngasësve, bandat e rrugës që janë të lidhura ngushtë me Amerikën Qendrore, janë duke zhvatur ngasësit e transportit publik në jug të Meksikës.

Grupet e krimit të organizuar përfshirë rivalet Mara Salavatrucha dhe Barrio 18 për kohë të gjatë kanë mbajtur prezencën e tyre në kufirin mes Meksikës dhe Guatemalës, mirëpo autoritet meksikane thonë se kanë ngritur kontrollin ashtu si El Salvadori që po organizon aksione kundër bandave dhe udhëheqësve të tyre kriminalë.

Ngasësit e furgonëve për udhëtarë dhe taksitë varen nga transporti për të siguruar jetesën në qytetin rural të Chiapas. Ata janë të alarmuar dhe kanë krijuar disa stacione për të marrë vëmendjen e autoriteteve. Pronari i një kompanie të transportit publik në Tapachula ka nisur të ecën me truproja.

Disa prej tyre e pranojnë se kanë paguar zhvatësit, kur kanë parë se çfarë po ndodh me ata që nuk vepronin njëjtë.

“Nëse nuk bëjmë asgjë, do të jemi një El Salvador i vogël”, thotë shefi i ngasësve në qytetin Huxtla, në të cilin një ngasës u qëllua për vdekje nga dy persona. Ata e sulmuan nga një motoçikletë në shkurtin e vitit të kaluar. Shefi ka dashur të jetë anonim nga frika e madhe prej bandave kriminale.

Ngasësit në Huixtla tregojnë faturat të krejt vitit të kaluar, për të dokumentar pagesat që u kanë bërë bandave kriminale.

Lidhja me telefona

Në përgjithësi, gjithçka nis me dikë që hipën në autobus dhe ngasësit ia dorëzon një telefon, shpesh duke ia drejtuar revolen në lule të ballit. Ngasësit thonë se telefonin duhet t’ia dorëzojnë pronarit të autobusit, furgonit apo taksit, me qëllim që të vendoset linja direkt e komunikimit. Më pas fillojnë kërcënimet.

Telefonuesit u tregojnë pronarëve se ata e dinë se kush janë, ku jetojnë, linjat dhe automjetet e tyre. Ata flasin me dialektet e veçanta të Amerikës Qendrore, por të sharat nga El Salvadori. Ata fillimisht kërkojnë 50 dollarë dhe më pas 50 dollarë në muaj për çdo furgon ose taksi, thotë përfaqësuesi i ngasësve në Tapahcula, i cili nga frika kërkoi të mbetet anonim.

Sulmi i fundit ndodhi të hënën kur një person i panjohur shtiu në drejtim të stacionit të autobusëve në Cacahoatan. Askush nuk u plagos, por plumbat rrokën furgonin e parkuar dhe u anulua shërbimi. I dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur së bashku me një person që ngiste motoçikletën. Në fillim të muajit janar një furgoni i është vënë flaka në të njëjtën komunë.

Autoritetet lokale kanë formuar task-forcën kundër bandave dhe vendosën policinë në qendrat e transportit. Në muajin e kaluar Meksika ka vendosur 350 ushtarë shtesë në komunitetet përgjatë kufirit me Guatemalën.

“Qëllimi është të mbështesim popullatën civile për të ulur vrasjet e lidhura me krimin e organizuar dhe nivelin e dhunës që është rritur në ditët e fundit”, thotë Angel Banda Lozoya, komandant i ushtrisë lokale.

Image
Gjithçka nis me dikë që hipën në autobus dhe ngasësit ia dorëzon një telefon, shpesh duke ia drejtuar revolen në lule të ballit. Ngasësit thonë se telefonin duhet t’ia dorëzojnë pronarit të autobusit, furgonit apo taksit, me qëllim që të vendoset linja direkt e komunikimit. Më pas fillojnë kërcënimet.

Rreziku i ngasësve

Mirëpo ngasësit mbeten të ekspozuar pasi bëjnë ndalesa të shpeshta në rrugët e gjata rurale dhe fuqia ushtarake nuk mund të shuajë lehtësisht kërcënimin e papritur, përmes thirrjeve dhe mesazheve.

Jose Mateo Martinez, prokuror i shtetit në Chapas në lidhje me imigrantët, thotë se aksionet e El Salvadorit kundër krimit të organizuar janë arsyeja për aktivitetin kriminal në Meksikë. “Njerëzit po vijnë për të fshehur nga këto banda, por gjithashtu ka liderë të bandave që kanë ardhur këtu për të krijuar grupet e tjera kriminale”, thotë ai.

Në muajin mars të vitit 2022, El Salvadori suspendoi disa të drejta kushtetuese në reagim ndaj shpërthimit të dhunës. Gjendja e rëndë ka vazhduar që atëherë, pavarësisht kritikave të shumta nga organizatat për të drejtat e njeriut, pasi 60 mijë persona janë arrestuar nën dyshimin se janë pjesë e bandave kriminale.

Zbatimi i ligjit ka qenë më pak i fuqishëm në mesin e fqinjëve të El Salvadorit: nga viti 2018 deri në nëntorin e vitit 2022, Meksika ka arrestuar dhe deportuar 92 shtetas të El Salvadorit, nën dyshimin se kishin lidhje me bandat në dy vjetët e fundit. Ndërkaq Guatemala ka kthyer 90 shtetas të El Salvadorit, të cilët ishin pjesë e bandave gjatë vitit të kaluar, ka bërë të ditur Policia Kombëtare.

Për nga natyra bandat janë transnacionale, mijëra anëtarë të tyre janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerikën Qendrore dhe Meksikë. Bandat dominuese të rrugëve në El Salvador u formuan në Los Angeles mes komuniteteve të emigrantëve që kishin ikur nga konfliktet e armatosura në vitet ’80. Të dëbuar përfundimit, ata gjetën terren të pasur për më shumë dhunë, duke kryer krime në një shtet dhe duke u fshehur në shtetin tjetër. Kështu janë përzier në fluksin e përditshëm të emigrantëve nëpër shtete të ndryshme.

Këto banda kanë operuar prej kohësh përgjatë kufijve të Meksikës, ndonjëherë duke ofruar forcën e rrugëve për kartelet e fuqishme të drogës në Meksikë ose duke drejtuar ndërmarrjet e tyre kriminale, duke përfituar nga trafiku i paligjshëm i drogës, armëve dhe emigrantëve. Dhe disa kartele meksikane zhvatin biznese në pjesë të tjera të vendit.

Por një tjetër drejtues transporti Tapachula, i cili kërkoi anonimitetin sepse kishte frikë nga hakmarrja, këmbënguli se këta zhvatës janë gangsterë të Amerikës Qendrore, jo anëtarë të kartelit meksikan.

Zhvatja e transportit lokal ka qenë linjë kryesore e të ardhurave të tyre në El Salvador. Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, në gusht të vitit të kaluar ka thënë se zhvatja e atij sektori kishte rënë në mënyrë dramatike. Ministri i tij i Transportit vlerësoi se kompanitë e autobusëve kishin ndaluar së paguari rreth 50 milionë dollarë bandave.

Autoritete të tjera kanë shpallur disa suksese: Në gusht, policia meksikane rrëzoi një qelizë bande që shiste drogë dhe grabiti klientët në një bar në Tapachula. Një nga pesë personat e kapur kishte një urdhër arresti në pritje nga El Salvador dhe u deportua.

Në nëntor autoritetet meksikane arrestuan dhe deportuan në El Salvador një udhëheqës të dyshuar të bandës Barrio 18, i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në San Salvador në vitin 2020. Autoritetet në El Salvador kanë deklaruar se kishte ikur në Meksikë me familjen e tij dhe anëtarë të tjerë të bandës për të shmangur kapjen nën kompetencat speciale të El Salvadorit.

Dhe më 3 janar, Guatemala kapi dhe deportoi një anëtar bande salvadorane, i cili kishte urdhërarreste të shumta me akuza që nisnin nga vrasja e rëndë deri te terrorizmi.

Por njerëzit që varen nga tranziti në Meksikën jugore mbeten të pakënaqur. Ka një automjet policie të parkuar çdo ditë në stacionin lokal në Tapachula ku furgonët mbërrijnë dhe nisen vazhdimisht, por drejtuesit e tyre mbeten të ekspozuar.

Dy nga vrasjet ndodhën në veriperëndim të Tapachula pranë bregut të Paqësorit. Në shtator, një burrë doli nga një furgon që drejtonte rrugën midis Tonala dhe Arriaga dhe qëlloi shoferin femër. Në fund të tetorit, një shofer u qëllua në Mapastepec nga dy burra me motor, jo shumë larg terminalit lokal.

Përktheu: Gent Mehmeti